Radar Media Group shpreh mbështetjen e plotë për gazetaren Klodiana Lala dhe, përmes saj, për çdo gazetar që përballet me sulme, presione apo tentativa për cenimin e figurës dhe integritetit profesional gjatë ushtrimit të detyrës.
Klodiana Lala prej më shumë se dy dekadash ushtron profesionin e gazetares, duke raportuar për çështje të ndjeshme të drejtësisë, krimit dhe korrupsionit. Mbrojtja e integritetit dhe dinjitetit të gazetarit, pavarësisht medias ku ai ushtron profesionin, është një parim që nuk duhet cenuar.
Deklaratat publike të bëra ndaj gazetares Lala nga ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, janë veçanërisht shqetësuese për faktin se u artikuluan publikisht, përpara kamerave, në një moment kur gazetarja po ushtronte detyrën e saj dhe po kërkonte përgjigje për çështje me interes publik.
Çdo pretendim ndaj një gazetari duhet të mbështetet në fakte dhe të trajtohet përmes rrugëve institucionale e ligjore. Insinuatat apo akuzat publike nuk duhet të shndërrohen në instrument presioni ndaj gazetarëve që bëjnë pyetje dhe informojnë publikun.
Fakti që një deklaratë e tillë vjen nga një ish-drejtuese e institucionit më të rëndësishëm të inteligjencës në vend e bën situatën edhe më serioze dhe duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për të gjithë komunitetin mediatik.
Radar Media Group qëndron në mbrojtje të Klodiana Lalës dhe të çdo gazetari që sulmohet për shkak të ushtrimit të profesionit.
Liria e medias nuk mbrohet vetëm kur sulmohet media jonë. Ajo mbrohet sa herë sulmohet një gazetar për shkak të detyrës së tij.

