I ftuar në podcastin e radhës me gazetarin Alfred Peza në Media Radar, kreu i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi, foli për rritjen e çmimeve të banesave në Tiranë, faktorët që kanë ndikuar në këtë trend dhe perspektivën e tregut të pasurive të paluajtshme.
I pyetur nga Alfred Peza se përse shtëpitë në Tiranë janë kaq të shtrenjta, Harizi tha se në këtë rritje kanë ndikuar kostot, taksat, materialet e ndërtimit dhe kërkesa në treg.
“Janë rritur të gjitha kostot, janë rritur taksat, materialet e ndërtimit dhe është rritur kërkesa.”
Sipas Harizit, kjo tendencë pritet të vijojë edhe në të ardhmen.
“Këto çmime do të vazhdojnë të rriten edhe më shumë.”
Sa i përket pyetjes se deri ku mund të shkojë çmimi i një metri katror në Tiranë, Harizi u shpreh se nuk mund të përcaktohet një kufi i qartë për rritjen e çmimeve.
“Në Tiranë nuk ka një tavan të qartë të rritjes së çmimit. Projektet që janë serioze, kanë arkitektë të huaj dhe kanë interes për komunitetin, do të shkojnë edhe më lart.”
Gjatë podcastit, Alfred Peza e pyeti Harizin edhe për gabimet që bëjnë shqiptarët kur blejnë një pronë. Sipas tij, blerësit shpesh fokusohen te pamja e pronës dhe lënë në plan të dytë dokumentacionin.
“Nuk shohin letrat, por pamjen, që të mos kenë sherre.”
Harizi dha edhe një këshillë për blerësit e pronave:
“Shikoni letrat, ndërtuesin dhe cilësinë e projektit.”
Një tjetër çështje e diskutuar ishte kursi i këmbimit euro-lek dhe ndikimi i tij në tregun e pasurive të paluajtshme. I pyetur nëse ulja e koeficientit të këmbimit të euros me lekun është faktor pozitiv, Harizi e konsideroi atë një faktor që mund të nxisë investimet.
“Është faktor pozitiv. Njerëzit të mos i mbajnë paratë në bankë, por t’i investojnë.”
Sipas Harizit, interesi për pasuritë e paluajtshme vijon të jetë i lartë dhe tregu po përjeton një tendencë rritëse.
“Trendi i rritjes së pronave është gjithmonë në rritje.”

