Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar lidhur me deklaratën e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj gazetares Klodiana Lala, në një moment kur kjo e fundit po raportonte për paraqitjen e Hysenit në SPAK.
Përmes një reagimi, Fevziu e cilëson situatën si problematike dhe ngre pikëpyetje si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë etik, lidhur me mënyrën se si ish-drejtuesja e shërbimit inteligjent iu përgjigj raportimeve të gazetares.
Sipas Fevziut, përplasja lidhet me raportimet e fundit të Klodiana Lalës, e cila ka bërë publike pretendime të rënda në lidhje me veprimtarinë e Hysenit. Në përgjigje, ish-drejtoresha e SHISH ka bërë një pretendim në drejtim të gazetares.
Fevziu argumenton se, pavarësisht peshës së një akuze, përgjigjja ndaj saj nuk mund të jetë domosdoshmërisht një kundërakuzë, veçanërisht kur në deklaratë përmenden pretendime që lidhen me mënyrën e funksionimit të një shërbimi inteligjent.
Gazetari ngre edhe pyetjen se çfarë e ka shtyrë Hysenin të bëjë një deklaratë të tillë dhe, nëse pretendimi i saj do të rezultonte i vërtetë, çfarë pasojash do të kishte kjo për mënyrën se si funksionojnë operacionet e një shërbimi sekret.
Reagimi i Fevziut vjen në kontekstin e raportimeve të mëparshme të Klodiana Lalës, e cila ka deklaruar se ish-drejtoresha e SHISH ka përgjuar zyrtarë të lartë.
Në reagimin e tij, Fevziu përmend edhe mundësinë që ndër personat e pretenduar si të përgjuar të ketë qenë ish-ministri i Brendshëm dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Deklaratat e bëra nga të dyja palët përbëjnë pretendime publike dhe mbeten për t’u vlerësuar në bazë të fakteve dhe verifikimeve përkatëse.
Reagimi i gazetarit Blendi Fevziu:
Sot, ish-shefja e Shërbimit Sekret Shqiptar, Vlora Hyseni, që ishte thirrur për t’u marrë në pyetje, kërcënoi në mënyrë të çuditshme gazetaren Klodiana Lala, ndërsa ishte duke hyrë brenda ambienteve të SPAK. Pyetjes mbi aktivitetin e saj kriminal, ajo iu përgjigj me një kundërpyetje: Klodi, si kalon ti në takimet me agjentët serbë në dhomat e hotel Rognerit. Padyshim që deklarata e saj nuk qëndron dhe për këtë janë shprehur shumë vetë, por pyetja ime e parë është: Përse e bëri këtë Vlora Hyseni?
Në radhë të parë, ajo ka bërë një skandal, duke shkelur dy herë ligjin. Në rast se kjo gjë do të ishte e vërtetë dhe shefja e SHISH-it ishte në dijeni, ajo ka dekonspiruar një operacion të fshehtë, në të cilin SHISH po ndjek një gazetare. Është një shkelje ligjore, përveç shkeljes së etikës. Por, padyshim që kjo nuk është e vërtetë.
Në rastin e dytë, pra në rast se e ka sajuar këtë gjë për t’u hakmarrë ndaj Klodiana Lalës, apo për të hërhequr vëmendjen nga lajmet e fokusuara tek ajo, është një gabim po kaq i rëndë dhe përbën sërish vepër penale.
Por përse Vlora Hyseni kërcënoi Klodiana Lalën?
Dy ditë më parë, Lala akuzoi Hysenin, mbi bazë dokumentesh që sipas saj i kishte konsultuar me materialet e SPAK-ut, se Hyseni ka përgjuar deputetë të rëndësishëm, duke përfshirë edhe ish-ministrin e Brendshëm dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
A e ka përgjuar SHISH Taulant Ballën për llogari të Ergys Agasit? Kjo është e vështirë të vërtetohet në këtë moment, por padyshim është një akuzë e rëndë e bërë nga gazetarja në drejtim të ish-shefes dhe akuza nuk mund të mbulohen kurrë me kundërakuza.

