AKTUALITET /

Protesta e 117-të para Kryeministrisë/ Aktivistët thirrje shqiptarëve në SHBA: Priteni me vezë para OKB-së

Gjatë fjalës së mbajtur në podiumin e vendosur para Kryeministrisë, Kola u bëri apel qytetarëve në SHBA që ta presin kryeministrin Rama me vezë.

Shkruar nga Versus

Protesta e 117-të para Kryeministrisë/ Aktivistët thirrje

Mbrëmjen e sotme është mbajtur para Kryeministrisë, protesta e 117-të ku qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë, pas skandaleve të njëpasnjëshme që po ndodhin në vend.

Ata kanë kërkuar nga shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar para selisë së OKB-së, në ditën kur kryeministri Edi Rama pritet të mbajë fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme.

Gjatë fjalës së mbajtur në podiumin e vendosur para Kryeministrisë, Kola u bëri apel qytetarëve në SHBA që ta presin kryeministrin Rama me vezë.

“Thirrje për qytetarët e SHBA. Nesër para OKB-së është thirrur një protestë, të jeni sa më shumë atje për të treguar se nuk përfaqëson popullin shqiptar. Keni peshqesh edhe disa vezë”, deklaroi ai.

Kola lëshoi një sërë akuzash ndaj kryeministrit Rama, duke pretenduar se ai ka kthyer institucionet shtetërore në “bordello”. Aktivisti ngriti gjithashtu akuza për mënyrën se si, sipas tij, trajtohen gratë që punojnë në qeveri.

Në fjalën e tij, Kola u ndal edhe te zhvillimet e fundit që lidhen me ish-drejtoren e SHISH-it, Vlora Hyseni, duke ngritur pretendime se të dhënat e qytetarëve shqiptarë janë shitur.

“Të gjitha institucionet, imagjinoni sekretet shtetërore. Zyra ku çdo shqiptar duhet të kishte besim janë kthyer në bordello. [...] Të dhënat tona janë shitur. Nuk ka asnjë sekret për secilin prej jush”, tha Kola.

Në përfundim të fjalës së tij, aktivisti u bëri thirrje edhe studentëve që t’i bashkohen protestës.

“Studentët janë e ardhmja, duhet të zbresin në shesh”, tha ai./Versus.al

 

Poll