AKTUALITET /

Produktet me pesticide/ Italia bllokon açuget shqiptare, Kroacia ndalon 3.4 tonë speca

Sipas rezultateve laboratorike, prania e histaminës ka arritur në 800 mg/kg, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 400 mg/kg

Shkruar nga Versus

Produktet me pesticide/ Italia bllokon açuget shqiptare, Kroacia ndalon

Dy ngarkesa me produkte ushqimore nga Shqipëria janë bllokuar në Itali dhe Kroaci pas kontrolleve që kanë evidentuar probleme me përbërjen e tyre.

Në Itali, autoritetet kanë bllokuar një sasi açugesh të eksportuara nga kompania shqiptare “Poseidoni”, pasi analizat kanë zbuluar nivele të larta të histaminës.

Sipas rezultateve laboratorike, prania e histaminës ka arritur në 800 mg/kg, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 400 mg/kg. Produkti është konstatuar gjatë kontrolleve në supermarketet italiane dhe, pas publikimit të rezultateve, e gjithë ngarkesa është tërhequr nga tregu.

Histamina është një substancë që mund të krijohet te produktet e peshkut dhe, në përqendrime të larta, mund të shkaktojë probleme shëndetësore tek konsumatorët.

Ndërkohë, Kroacia ka bllokuar një tjetër ngarkesë me speca të kuq me origjinë nga Shqipëria. Bëhet fjalë për 3427 kilogramë speca, të prodhuar, sipas raportimit të Top Channel, në fshatin Mollas të Elbasanit.

Kontrollet laboratorike kanë evidentuar prani të insekticidit Flonicamid në nivelin 0.8 mg/kg. Flonicamidi përdoret në bujqësi për luftimin e insekteve që dëmtojnë kulturat bujqësore.

Sipas të dhënave të raportuara, substanca është e lejuar për përdorim në mbrojtjen e bimëve, por prania e saj në produktet e destinuara për konsum duhet të jetë brenda kufijve të përcaktuar nga legjislacioni.

Bllokimi i ngarkesës së specave në Kroaci vjen pas rasteve të tjera të raportuara gjatë këtij muaji me produkte shqiptare të ndaluara për shkak të problemeve të konstatuara gjatë kontrolleve të sigurisë ushqimore.

Rastet kanë ngritur sërish shqetësime mbi kontrollin e produkteve bujqësore dhe ushqimore shqiptare që eksportohen në tregjet e Bashkimit Evropian, si dhe mbi respektimin e rregullave për përdorimin e pesticideve dhe periudhën e karencës nga fermerët./Versus.al

Poll