BOTA /

VIDEO/ "Jeni frikacakë...", Netanjahu shpërthen në OKB ndaj diplomatëve që braktisën fjalimin e tij

Netanyahu mbrojti vendimin e Izraelit për goditjen e objekteve bërthamore iraniane, duke e cilësuar atë si një prej vendimeve më të rëndësishme të mandatit të tij.

Shkruar nga Versus

VIDEO/ "Jeni frikacakë...", Netanjahu shpërthen në OKB

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbajti fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në një sallë pjesërisht të boshatisur, pasi dhjetëra anëtarë të delegacioneve u larguan në momentin që ai doli në podium.

Netanyahu priti që diplomatët të largoheshin dhe më pas iu drejtua atyre me tone të ashpra.

“Nëse ka ndonjë frikacak tjetër moral, le të largohet”, deklaroi ai para se të niste fjalimin.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, kryeministri izraelit ia kushtoi Iranit dhe programit të tij bërthamor. Netanyahu mbrojti vendimin e Izraelit për goditjen e objekteve bërthamore iraniane, duke e cilësuar atë si një prej vendimeve më të rëndësishme të mandatit të tij.

“Ishte e vështirë të shkatërroja objektet iraniane, por për mua ishte një nga vendimet më të lehta të mandatit tim, përndryshe të gjithë do të kishim vdekur”, tha ai.

Netanyahu deklaroi gjithashtu se veprimet e Izraelit nuk kanë për qëllim vetëm mbrojtjen e vendit të tij.

“Duke mbrojtur Izraelin, ne po mbrojmë shumë vende, përfaqësuesit e të cilave u larguan nga dhoma. Ata na përgëzojnë fshehurazi”, tha kryeministri izraelit.

Në fjalimin e tij, Netanyahu iu referua edhe kujtimeve personale nga Lufta Gjashtëditore e vitit 1967 dhe vëllait të tij, Yoni Netanyahu, i cili u vra gjatë operacionit në Entebbe të Ugandës në vitin 1976, ku forcat izraelite ndërhynë për lirimin e pengjeve.

Ai foli më pas për sulmin e Hamasit të 7 tetorit 2023 dhe luftën që pasoi në Rripin e Gazës, ndërsa përmendi edhe përballjen me Hezbollah-un në vitin 2024.

“Ne nuk jemi shembur. Ushtarët tanë heroikë kanë luftuar për tre vjet tani. Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të mbrojmë Shtetin e Izraelit”, deklaroi Netanyahu.

Kryeministri izraelit falënderoi gjithashtu presidentin amerikan Donald Trump për mbështetjen e tij.

Gjatë fjalimit, Netanyahu kritikoi edhe kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, duke e akuzuar për “shtrembërim të fakteve” në lidhje me Hamasin.

“Nuk mund të më heshtni”, deklaroi Netanyahu, ndërsa iu drejtua edhe hebrenjve në mbarë botën me mesazhin: “Mbani kokat lart dhe mos kini frikë”.

Në pjesën e fundit të fjalimit, ai iu rikthye kritikave ndaj delegatëve që kishin braktisur sallën, duke i akuzuar për “hipokrizi”. Netanyahu foli edhe për situatën në Iran dhe protestat atje, duke pyetur delegatët se ku ishin kur, sipas tij, autoritetet iraniane vranë protestues.

Fjalimi i Netanyahu u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, ndërsa lufta në Gaza, programi bërthamor i Iranit dhe përplasjet në Lindjen e Mesme mbeten ndër çështjet kryesore të debatit në OKB./Versus.al

 

Poll