Të huajt vijojnë të kenë një peshë të rëndësishme në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme, edhe pse blerjet nga jorezidentët kanë shënuar rënie gjatë gjysmës së parë të këtij viti.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rreth një në pesë prona të shitura gjatë gjashtë muajve të parë të vitit ka pasur si blerës një jorezident. Konkretisht, 20% e pronave janë blerë nga të huajt, nga 25% që ishte kjo peshë në gjysmën e dytë të vitit 2025.
Megjithatë, interesi i shtetasve të huaj për tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme mbetet i konsiderueshëm dhe ka shfaqur luhatje gjatë tre viteve të fundit.
Sipas konsulentit imobiliar Orgest Beti, të huajt janë të interesuar kryesisht për apartamente, veçanërisht në zonat bregdetare.
“Të huajt vijnë, blejnë në Shqipëri, interesohen kryesisht për prona të tilla si apartamente 1+1, pak më të mëdha, por me fokus në bregdet. Janë italianët të parët, por nuk mungojnë as gjermanët, polakët, nordikët. Interesi është shumë i lartë nga të gjithë”, tha Beti.
Ndërkohë, kapitali i huaj nuk po hyn në ekonominë shqiptare vetëm përmes blerjes së apartamenteve. Investimet e huaja direkte po orientohen gjithnjë e më shumë edhe drejt sektorëve të lidhur me pasuritë e paluajtshme, përfshirë ndërtimin, turizmin dhe hotelerinë.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë kaluar vlerën e 1.1 miliardë eurove, nga rreth 759 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo përfaqëson një rritje prej afro 50%.
“Interesi ndahet. Shikojmë që masivisht ndër vite erdhën për apartamente, por edhe shifrat tregojnë që investimet e huaja janë rritur ndjeshëm në sektorë si ndërtimi, turizmi, hoteleria etj.”, u shpreh konsulenti imobiliar.
Kështu, interesi i të huajve për tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme nuk matet vetëm me numrin e apartamenteve që blejnë. Ai reflektohet edhe në kapitalin që investohet në ndërtim dhe në projekte të reja turistike e hotelerie.
Edhe pse pesha e blerjeve nga jorezidentët ka ndryshuar nga një periudhë në tjetrën, kapitali i huaj vijon të luajë një rol të rëndësishëm në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme dhe në sektorët e lidhur me të.

