Presidenti i Hungarisë: OKB po përballet me një krizë besimi
Presidenti i Hungarisë, Andras Baka, ka deklaruar në fjalën e tij para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, se organizata po përballet me një krizë besimi.
Sipas tij OKB shumë shpesh dështon të veprojë kur vendet e fuqishme dhe aleatët e tyre shkelin rregullat ndërkombëtare.
“Nuk mund të kemi një rregull për miqtë tanë dhe një tjetër për të tjerët. Por përgjigjja nuk është t’i kthejmë shpinën OKB-së. Ne kemi nevojë për të dhe kemi nevojë që ajo të funksionojë”, tha ai, duke shtuar se organizata duhet të jetë në gjendje të veprojë, t’i trajtojë anëtarët në mënyrë të barabartë dhe të zbatojë të njëjtat parime për të gjithë.
Duke iu referuar Ukrainës, Baka dënoi luftën e Rusisë si shkelje të Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe rikonfirmoi sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Ai tha se diplomacia duhet t’i japë fund luftimeve, por theksoi se çdo paqe e qëndrueshme duhet të respektojë sovranitetin e Ukrainës.
“Nëse marrja e territoreve me forcë bëhet një mënyrë e pranuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, çdo vend më i vogël do të ketë arsye të shqetësohet për të ardhmen e tij”, paralajmëroi ai.
Për Lindjen e Mesme, presidenti bëri thirrje për respektim të plotë të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe që ndihma humanitare të arrijë tek ata që kanë nevojë “në mënyrë të sigurt dhe pa ndërprerje”, duke iu referuar palestinezëve në Rripin e Gazës.
“Izraelitët dhe palestinezët duhet të jenë në gjendje të jetojnë në siguri dhe dinjitet”, tha ai, duke bërë thirrje për një paqe të qëndrueshme.
Për migracionin, Baka tha se Hungaria do të luftojë migracionin e parregullt dhe rrjetet kriminale që përfitojnë prej tij, duke respektuar dinjitetin njerëzor dhe mbrojtjen e refugjatëve, si dhe do të mbështesë zhvillimin që u jep njerëzve mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre.




