Brad Pitt u shfaq krah partneres së tij, Ines de Ramon, të mërkurën mbrëma në Festivalin e Filmit në San Sebastian, ku aktori mori pjesë në premierën e filmit të tij të ri, “Heart of the Beast”.
33-vjeçarja, e cila është dizajnere bizhuterish, tërhoqi vëmendjen me paraqitjen e saj elegante. De Ramon kishte zgjedhur një fustan të gjatë të gjelbër prej dantelle, me dekolte të theksuar, rripa të hollë dhe pjesën e poshtme pothuajse transparente. Pamjen e kompletoi me flokët e mbledhur në një topuz elegant.
Stili i saj është i njohur për kombinimin e toneve neutrale, elegancës dhe estetikës së “luksit të heshtur”. Krahas angazhimit në modë, De Ramon ka ndërtuar një karrierë në industrinë e bizhuterive luksoze. Ajo ka punuar në departamentin e bizhuterive të shtëpisë së ankandeve “Christie’s” dhe në markën zvicerane “de GRISOGONO”.
Aktualisht, ajo mban postin e zëvendëspresidentes dhe drejtuese së shitjeve me shumicë në “Anita Ko Jewelry”, me bazë në Los Angeles.
Edhe Brad Pitt ka eksperimentuar vitet e fundit me stilin e tij të veshjes. Aktori është parë gjithnjë e më shpesh me ngjyra më të ndezura, prerje më të lirshme dhe kombinime më të guximshme, duke u larguar nga stili i thjeshtë me të cilin ishte identifikuar më herët.
Në një intervistë për “Esquire” në vitin 2021, Pitt foli për mënyrën se si ka ndryshuar raporti i tij me veshjen me kalimin e viteve.
“Sa më shumë plakesh, bëhesh më i paduruar dhe rehatia bëhet gjithnjë e më e rëndësishme”, ishte shprehur ai.

Aktori e ka përshkruar stilin e tij si “pa stil”, duke theksuar se preferon thjeshtësinë dhe vëmendjen ndaj detajeve.
“Më pëlqen thjeshtësia. Për mua rëndësi kanë detajet e qepjeve dhe mënyra se si materiali ndihet në lëkurë. Ky është në fakt kriteri im i vetëm”, kishte deklaruar Pitt.
Ai ka thënë gjithashtu se nuk është i interesuar të ndjekë verbërisht tendencat e modës, duke vënë më shumë rëndësi te mënyra se si ndihet një veshje sesa te ajo që është në modë.
“Nëse afrohesh, do t’i shohësh detajet. Më pëlqen mënyra se si ndihet astari. Kjo është e rëndësishme për mua. Është shumë lodhëse të ndjekësh tendencat. I urrej edhe reklamat, thjesht nuk dua të jem një reklamë që ecën”, kishte thënë aktori.

