Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u përball me një protestë të dukshme në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, teksa dhjetëra delegatë u larguan nga salla në momentin kur ai mori fjalën. Salla mbeti pjesërisht bosh, ndërsa gjatë zhvillimit të seancës u dëgjuan edhe thirrje në mbështetje të Palestinës.
Largimi i delegatëve ishte organizuar si një akt proteste ndaj Netanyahut dhe politikave të qeverisë së tij. Sipas raportimeve, delegacionet nisën të largoheshin sapo kryeministri izraelit iu afrua foltores, ndërsa në sallë pati edhe reagime me brohoritje dhe vërshëllima.
Në nisje të fjalimit, Netanyahu iu drejtua drejtpërdrejt delegatëve që kishin braktisur sallën.
“Nëse ka të tjerë frikacakë moralë që nuk janë larguar nga kjo sallë, ju lutem largohuni menjëherë”, deklaroi ai.
Gjatë fjalimit, Netanyahu mbrojti veprimet ushtarake të Izraelit dhe u ndal veçanërisht te sulmet ndaj Iranit. Ai deklaroi se vendimi për të goditur objektet bërthamore iraniane kishte qenë, sipas tij, “një nga vendimet më të lehta” që kishte marrë si kryeministër. Netanyahu argumentoi gjithashtu se Izraeli, duke u mbrojtur, kishte mbrojtur edhe vende të tjera.
Një tjetër moment i fjalimit lidhej me Hezbollahun. Netanyahu iu referua sulmit me pagera të shtatorit 2024 në Liban, duke ngritur një pager gjatë fjalimit dhe duke kujtuar operacionin në të cilin mijëra pajisje komunikimi të përdorura nga anëtarë të Hezbollahut u shpërthyen në distancë.
Kryeministri izraelit vijoi të mbrojë veprimet e Izraelit kundër Hamasit dhe Hezbollahut, duke argumentuar se vendi i tij po vepronte në funksion të sigurisë së tij.
Protesta në sallën e Asamblesë së Përgjithshme erdhi në një klimë të tensionuar ndërkombëtare rreth luftërave dhe përplasjeve në Lindjen e Mesme, të cilat kanë dominuar diskutimet e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

