Presidenti francez Emmanuel Macron ka mohuar se CIA e kishte informuar Francën për një operacion të mundshëm rus me dronë që mund të synonte vende të Evropës Jugore. Deklarata e tij erdhi pas një raportimi të gazetës spanjolle “El Mundo”, sipas të cilit shërbimet amerikane të inteligjencës kishin paralajmëruar disa qeveri evropiane për një skenar të tillë.
Në një intervistë të përbashkët për televizionet franceze TF1 dhe France 2, Macron tha se informacioni për një paralajmërim të CIA-s nuk qëndron.
“Mund ta mohojmë këtë informacion. CIA nuk e informoi Francën për këtë informacion dhe ministri italian i Mbrojtjes tha të njëjtën gjë”, deklaroi presidenti francez.
Të enjten, “El Mundo” publikoi një artikull ku pretendohej se CIA kishte paralajmëruar Spanjën, Francën dhe Italinë për një operacion të mundshëm rus me dronë, të nisur nga deti. Sipas raportimit, bëhej fjalë për një skenar të mundshëm që mund të synonte vendet e Mesdheut. Deri tani, nuk ka pasur konfirmim publik të këtij paralajmërimi nga autoritetet franceze, italiane apo spanjolle.
Edhe ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i mohoi pretendimet. Në një reagim në rrjetin X, ai tha se alarmi i ngritur nga një gazetë spanjolle për sulme të mundshme ndaj Italisë, Spanjës dhe Francës nuk ishte konfirmuar dhe paralajmëroi se një situatë tashmë e tensionuar nuk kishte nevojë për përshkallëzim të mëtejshëm.
Megjithatë, Macron theksoi se mohimi i raportimit për paralajmërimin e CIA-s nuk do të thotë se kërcënimi rus ndaj Evropës nuk ekziston. Sipas tij, Rusia po shton “aktet armiqësore dhe kriminale” ndaj vendeve evropiane dhe një sulm i ngjashëm me incidentin e Leipzigut mund të ndodhë edhe në Francë.
Presidenti francez iu referua incidentit në aeroportin Leipzig/Halle në Gjermani, ku natën e 4-5 gushtit u gjet një dron i pajisur me eksploziv. Autoritetet gjermane më pas e lidhën incidentin me Rusinë dhe e cilësuan si një sulm hibrid.
“Kur më pyetni, ‘A mund të ndodhë kjo?’, përgjigjja ime është po”, tha Macron, duke paralajmëruar se Franca mund të përballet me incidente të ngjashme.
Sipas tij, Rusia e konsideron Evropën si “thellësinë strategjike të Ukrainës”, ndërsa mbështetja që vendet evropiane i japin Kievit i bën ato potencialisht objektiv të veprimeve ruse.
“Ka një kërcënim real dhe tensioni po rritet”, deklaroi Macron, duke shtuar se Evropa mund të jetë në shënjestër pikërisht për shkak të rolit të saj në mbështetjen e Ukrainës.
Macron foli gjithashtu për mundësinë e një mobilizimi të ri të madh në Rusi. Ai tha se një mobilizim prej rreth 300 mijë personash është një skenar që diskutohet dhe që, sipas tij, mund të lidhet me përpjekjet e Moskës për të vazhduar luftën në Ukrainë.
Presidenti francez vlerësoi se, me ritmin aktual të avancimit, Rusisë do t’i duheshin rreth një vit e gjysmë deri në dy vjet për të marrë territoret e Donbasit që aktualisht nuk i kontrollon, por me kosto të mëdha njerëzore dhe shkatërrime të mëtejshme për Ukrainën.
Deklaratat e Macron vijnë në një kohë kur vendet evropiane po rrisin vëmendjen ndaj kërcënimeve hibride, përfshirë sabotazhet, sulmet kibernetike dhe përdorimin e dronëve. Vetë presidenti francez ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit konsultime me drejtues politikë dhe ka kërkuar masa më të forta për mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga këto kërcënime.

