Njohësi i sigurisë, Valdet Hoxha, ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë është diametralisht ndryshe pas sulmit terrorist në Banjskë sot tre vjet. Megjithatë, ai ka thënë se deklarata e sekretarit amerikan, Marco Rubio për Serbinë, tregon se Kosova duhet të mbetet vigjilente.
Në “Konfront” të KTV-së, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme ka thënë se sulmi terrorist në të cilin vdiq rreshteri Afrim Bunjaku ka bërë që autoritetet të kuptojnë se “ne duhet ta bëjmë shtetin”.
“Sfidat janë dhe sot, por është situatë diametralisht e kundërt me para sulmit në Banjska. Kjo është ndoshta ‘fati në fatkeqësi’, sepse kemi pa që përkundër vullnetit të mirë edhe të miqve e të gjithkujt, ne duhet ta bëjmë shtetin. Ne duhet ta shtrijmë sovranitetin. E mira është që krahas shtrimit të sovranitetit, t’i forcojmë edhe urat e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Këtu pak ka çaluar meqenëse po krahasojmë periudhat. Ka pasur fërmike, por në fund janë sheshuar. Duhet përshëndetur veprimet e institucioneve të sigurisë pas atij rasti. Natyrisht që s’duhet të ndalet e të krijohet vakuum sepse çdo ditë po sekuestrohen armë në masë në atë pjesë. S’është që goditja e këtij grupi kriminal me organizim shtetëror nga Serbia i ka ndaluar të ushtrojnë përpjekje...”, ka thënë ai.
Hoxha ka theksuar se Serbia vazhdon të ketë pretendime territoriale në Kosovë. E për këtë ka thënë se duhet të shihet si alarm edhe deklarata e sotme e Rubios i cili tha se SHBA-ja ka interesim për të shtrirë dialogun strategjik me Serbinë, por që e cilësoi këtë shtet si “potencialisht të përfshirë në çështje problematike e shpërthyese”.
“Sot sekretari i shtetit Rubio tha se Serbia është e përfshirë në ngjarje potencialisht shpërthyese në rajon. Deklaratë shumë e fortë. Dhe e dimë se ku ka pretendime Serbia për territor dhe nuk e fsheh. Ata janë të tillë. Ata kanë shkaktuar masakra dhe i glorifikojnë kriminelët e luftës. Ne duhet të jemi vigjilentë dhe koshientë kë e kemi fqinj”, ka shtuar ai.
Bushkolaj për rastin e Hysenit: Skandal shumë i madh, i bën dëm gjithë faktorit shqiptar
Gazetari në Shqipëri, Elkier Bushkolaj, ka thënë se skandali me ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Vlora Hyseni, ka thënë se është skandal i përmasave shumë të mëdha dhe i bën dëm gjithë faktorit shqiptar.
Hysenit të enjten iu vazhdua masa e arrestit shtëpiak. Hyseni u shkarkua të martën nga detyra e drejtueses së shërbimit sekret të vendit, pasi gjykata urdhëroi vendosjen e saj në arrest shtëpiak, nën dyshimin se ka nxjerrë të dhëna të klasifikuara në kuadër të një hetimi më të gjerë për korrupsion.
“Është një skandal i përmasave shumë të mëdha, që i bën dëm gjithë faktorit shqiptar...Është skandal i përmasave jashtëzakonisht shumë të rënda, tregon dobësimin e gjitha hallkave ligjzbatuese në vend”, tha Bushkolaj në “Konfront” të KTV-së.
Dyshohet se të dhëna sekrete i janë dorëzuar Ergys Agasit, një prej biznesmenëve të përfshirë në hetimin lidhur me një rast korrupsioni në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku po hetohen dyshime për veprimtari kriminale dhe manipulim të procedurave të prokurimit publik.
Një numër zyrtarësh shtetërorë dhe biznesmenësh janë arrestuar ose po hetohen për keqpërdorim të parave publike në AKSHI.
Hetimi ndaj Hysenit ka ngritur pikëpyetje edhe për sigurinë institucionale dhe kombëtare të Shqipërisë.
Bushkolaj ka thënë se kur u bë iniciativa “Ballkani i Hapur”, pati kryqëzim të grupeve kriminale shqiptare, me ato serbe e malazeze të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës.
“Këtë e konstatoi edhe vet Departamenti Amerikan i Shtetit...Ka dyshime se grupet sllave, ato serbe e malazeze, e kanë përdorur Portin e Durrësit si pikë tranzit për të trafikuar sasi të mëdha lëndësh narkotike drejt vendeve të BE-së, e duke sjellë fuqizimin e këtyre grupeve”, tha Bushkolaj.
Vlora Hyseni kishte drejtuar SHISH-in që nga viti 2023.
Më parë, ajo kishte shërbyer si zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Hyseni u shkarkua nga ky post në vitin 2021 nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.
Qeveria e Kosovës nuk dha hollësi për arsyet e shkarkimit. Në komunikatën e atëhershme thuhej se vendimi ishte mbështetur në Ligjin për AKI-në. Në të njëjtën komunikatë përmendej se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara” përbënte vepër penale sipas legjislacionit në fuqi.
Pas largimit nga AKI-ja, Hyseni u bë këshilltare për sigurinë kombëtare e kryeministrit Edi Rama në shtator të vitit 2021.
Në vitin 2023, ajo u emërua drejtuese e SHISH-it në Shqipëri. Para dekretimit të saj, opozita shqiptare i kishte kërkuar presidentit Bajram Begaj të merrte informacione për arsyet e shkarkimit të Hysenit nga AKI-ja.