
Kryeministri Edi Rama pritet të mbajë sot fjalimin e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. Debati i përgjithshëm i sesionit të 81-të zhvillohet nga 22 deri më 28 shtator. Rama ndodhet prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara, ku po zhvillon një sërë takimesh në kuadër të javës së nivelit të lartë të OKB-së. Ende nuk është bërë publike përmbajtja e fjalimit të tij.
Një nga temat që ka zënë vend në deklaratat e tij gjatë kësaj vizite është vendimi i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Michigan, Rama deklaroi se Shqipëria do të qëndrojë në krah të Kosovës dhe kundërshtoi atë që e cilësoi si “varrosje për së gjalli” të katër ish-drejtuesve.
Në Michigan, kryeministri u takua me përfaqësues të diasporës shqiptare dhe njoftoi hapjen e një konsullate shqiptare në Detroit. Ai foli gjithashtu për forcimin e lidhjeve me shqiptarët jashtë vendit dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2030. Axhenda e Ramës në SHBA përfshin edhe takime me përfaqësues politikë, organizata ndërkombëtare dhe aktorë të tjerë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme.