Travel

Lonely Planet zbulon destinacionet më të mira për 2027-ën!

Platforma e udhëtimeve Lonely Planet ka publikuar listën e saj “Best in Travel” për vitin 2027 dhe në të janë përfshirë dhjetë vende dhe përvoja në Europë.

E publikuar çdo vit para sezonit të rezervimeve për pushime, lista ndahet në dy pjesë: 25 vendet më të mira për t’u vizituar dhe 25 përvojat më të mira për t’u rezervuar.

Destinacionet e përzgjedhura këtë vit shkojnë nga Dunedini dhe Waitaki, një prej zonave më interesante dhe të pazakonta të Zelandës së Re, te Fulidhoo në Maldive, një alternativë me kosto më të përballueshme ndaj ishujve të njohur me resorte luksi.

Sa u përket përvojave, Lonely Planet rekomandon të shijoni verën dhe gastronominë në Valle de Guadalupe të Meksikës, përpara se zona të bëhet gjerësisht e njohur, si dhe të udhëtoni me hekurudhën Darjeeling Himalayan Railway në Indi.

Për ata që kërkojnë diçka më pranë, më poshtë do të gjeni të gjitha vendet dhe përvojat europiane të përzgjedhura për vitin 2027.

Vendet më të mira në Europë sipas Lonely Planet për vitin 2027

Kur flitet për rajonin Veneto të Italisë, Venecia mbizotëron në bisedë, ndërsa vizitorët dynden në qytetin e përshkuar nga kanalet për udhëtime romantike.

Lista Best in Travel e Lonely Planet i nxit turistët të eksplorojnë edhe pjesën tjetër të rajonit, nga Dolomitet dhe Liqeni i Gardës te qytete të tjera si Verona dhe Padova.

Një tjetër mundësi në Europën Jugore është Šibeniku në Kroaci, një nga qytetet më të vjetra të vendit. Sipas Lonely Planet, ai ka arkitekturë mbresëlënëse, pasuri gastronomike dhe një kalendar plot ngjyra festivalesh gjatë gjithë vitit.

Ashtu si Venecia, Spanja është përmendur shpesh në lajme këtë vit për shkak të turizmit masiv.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk mund ta vizitoni vendin në mënyrë të përgjegjshme. Mjafton të zgjidhni një destinacion që dëshiron të presë më shumë turistë.

I tillë është Leóni në veri të Spanjës, një qytet mesjetar në rrugën franceze të pelegrinazhit Camino de Santiago. Ai tërheq vizitorë që duan të shohin arkitekturën e tij të bukur gotike dhe Casa Botines të Antoni Gaudí.

Është folur shumë për popullaritetin në rritje të pushimeve në vende me klimë më të freskët. Për vitin 2027, zgjedhja më e freskët është Skanör-Falsterbo, dy qytete fqinje në provincën Skåne të Suedisë.

Zona njihet si Riviera Suedeze. Vizitorët mund të shijojnë peizazhin bregdetar dhe të eksplorojnë rezervatet natyrore.

Së fundi, Lonely Planet ka vënë në qendër të vëmendjes edhe Dessau-n në Gjermani, një qytet «i lidhur ngushtë me lëvizjen Bauhaus», i cili, pavarësisht përmasave të vogla, ofron shumë nga ana kulturore.

Përvojat më të mira në Europë për t’u rezervuar vitin e ardhshëm

Për ata që pëlqejnë ecjen, St Cuthbert’s Way, nga kufijtë skocezë deri në Northumberland, është një itinerar historik pelegrinazhi prej 100 kilometrash që ia vlen të përshkohet vitin e ardhshëm.

Nëse preferoni udhëtimet me makinë në vend të ecjeve të gjata, një tjetër përvojë e rekomanduar për vitin 2027 është përshkimi i Route Napoléon në Francë.

Vitin e ardhshëm, rruga, e cila kalon nëpër vende si Grasse, Castellane dhe Sisteron, do të festojë 95-vjetorin e saj.

Nëse parapëlqeni detin, Lonely Planet sugjeron lundrimin mes Ishujve Eolianë të Italisë, ku ju presin brigje shkëmbore, ujëra të kristalta dhe mënyra autentike italiane e jetesës.

Një tjetër mundësi është zhytja në Detin Egje të Greqisë për të zbuluar histori detare shumëshekullore.

Rruga bregdetare Wild Atlantic Way e Irlandës shtrihet në 2.600 kilometra. Por, për një udhëtim më të shkurtër drejt një vendi që, sipas Lonely Planet, është një pretendent i fortë për vendin më mahnitës në Irlandë, duhet të shkoni në fjordin Killary, në kontenë Galway. /Monitor

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.