Pas sulmeve të kryera nga rebelët Huthi nga Jemeni, Arabia Saudite ka forcuar masat e gatishmërisë dhe ka vënë në lëvizje bashkëpunimin trepalësh të mbrojtjes me Turqinë dhe Pakistanin.
Të lidhura
None found
Komandantët e shtabeve të mbrojtjes kombëtare të tre shteteve pritet të mblidhen urgjentisht për të shqyrtuar mënyrat e rritjes së mbrojtjes së mbretërisë pas goditjeve të Ansarallah, lëvizja jemenase e njohur gjerësisht si Huthi dhe që konsiderohet e afërt me Iranin.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite konfirmoi se takimi do të zhvillohet, por nuk bëri të ditur hollësi rreth çështjeve që do të diskutohen apo hapave që mund të ndërmerren më pas.
Paralelisht, Myftiu i Madh saudit, Sheikh Saleh bin Fawzan al-Fawzan, u ka kërkuar trupave të vendosura pranë kufirit me Jemenin të jenë të përgatitura edhe për sakrificë në përballjen me Huthët.
Në mesazhin e tij drejtuar forcave të armatosura, ai iu referua pjesëve të Kuranit dhe thënieve që i atribuohen Profetit Muhamed për të theksuar rëndësinë e mbrojtjes së vendit dhe gatishmërisë për sakrificë.
“Mbrojtja e këtij kombi të madh (…) dhe ndëshkimi i kujtdo që prek qoftë edhe një centimetër të territorit të tij është ndër detyrat më të rëndësishme”, deklaroi ai, duke shtuar se “jetët mund të sakrifikohen” për kënaqësinë e Zotit.
Retorika dhe zhvillimet e fundit kanë nxitur spekulime se Riadi mund të marrë në konsideratë një reagim më të gjerë ushtarak, ku nuk përjashtohet edhe një operacion tokësor në Jemen, në koordinim me forcat e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht dhe të mbështetur nga Arabia Saudite.
Myftiu i Madh e përshkroi rikthimin e autoritetit të qeverisë jemenase si një detyrim madhor, ndërsa kërkoi “shfarosjen e plotë” të Ansarallah dhe të mbështetësve të saj.
Ndërkohë, përplasjet mes Riadit dhe Huthëve vijojnë të thellohen. Televizioni shtetëror saudit ka publikuar pamje nga një sulm ndaj një xhamie në jug të Arabisë Saudite, për të cilin autoritetet e vendit kanë fajësuar lëvizjen Huthi.
Autoritetet saudite e kanë akuzuar gjithashtu së fundmi Ansarallah-un se ka tentuar të godasë Mekën, pretendim që është mohuar nga lëvizja jemenase.
Huthët, të mbështetur nga Irani, mbeten një prej burimeve kryesore të destabilitetit në rajon. Ndërsa lufta në Jemen vazhdon, vendi është shndërruar në një nga arenat kryesore të rivalitetit mes Teheranit dhe Riadit.
