Hetimet e Prokurorisë së Posaçme sugjerojnë se anëtarët e krimit të organizuar dhe zyrtarët e lartë të shtetit u bënë bashkë për të mbrojtur Ergys Agasin nga arrestimi gjatë muajve të tij të arratisë.
Nga Edmond Hoxhaj - Reporter.al
Mëngjesin e 22 shtatorit, forcat e Policisë së Shtetit zbarkuan për kontroll në një kompleks vilash të fortifikuara në periferi të Durrësit – një strehë e dyshuar e Ergys Agasit gjatë muajve të tij të arratisë.
Sipas njoftimit të SPAK, kontrolli u krye në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme si pjesë e një hetimi më të gjerë të ndërmarrë ndaj një rrethi zyrtarësh të lartë, që dyshohet se ishin në kontakt apo e ndihmuan Agasin gjatë arratisë.
Subjekte të vendimit gjyqësor për masa sigurie apo kontrollesh ishin shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe zyrtari i Institutit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi.
Kompleksi ndodhet në një kryqëzim të rrugës “Durrësi në Shekuj” në zonën e Shkozetit dhe përbëhet nga disa godina me mure të larta betoni, dritare të izoluara dhe bimë kacavjerrëse që ngjiten deri në katin e sipërm.
Dy burime në dijeni të hetimit i thanë BIRN në kushtet e anonimatit se kompleksi i vilave ku fshihej Agasi, i pajisur me një nivel të lartë sigurie, zotërohet nga klani “Troplini”, pavarësisht se në emër të kujt janë regjistruar këto pasuri.
Grupi “Troplini” konsiderohet nga Prokuroria e Posaçme si një ndër grupet më të rrezikshme të krimit të organizuar në vend, me shtrirje gjithashtu në Itali, Gjermani, Holandë dhe në vendet e Amerikës Latine.
Më 21 maj 2025, SPAK njoftoi goditjen e një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës me qendër në Durrës, ku njëri prej drejtuesve ishte Elvis Doçi. Ai i shpëtoi arrestimit dhe u shpall në kërkim.
Doçi njihet me nofkën “Visi i Pojës” për shkak të lidhjeve familjare me Xhevdet Troplinin, një person i hetuar gjithashtu në mesin e viteve 2000 nga drejtësia italiane për implikim në trafikun e drogës. Ndaj Troplinit nuk është ngritur asnjë akuzë nga drejtësia shqiptare.
Ergys Agasi, 39 vjeç, u shpall në kërkim në dhjetor të vitit të kaluar me akuzën e përfshirjes në krim të organizuar në skandalin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, por u arrestua tetë muaj më vonë, më 26 gusht, në zonën e quajtur Plepat në Durrës, teksa po kthehej nga Elbasani ku kishte qëndruar për disa orë. Nga hetimet u siguruan prova që tregojnë se gjatë muajve të arratisë, ai ka lëvizur lirisht nga vendi ku ai fshihej si dhe ka vijuar komunikimet me personazhe të krimit të organizuar dhe funksionarë shtetërorë, kryesisht në Durrës, Tiranë dhe Elbasan.
Burimet në dijeni të hetimit i thanë BIRN se ndonëse informacionet për vendndodhjen e tij ishin të shpeshta, një operacion për kapjen e Agasit u vu në lëvizje vetëm pas një vale ndryshimesh mes drejtuesve të policisë, që pasuan largimin e Ilir Prodës nga pozicioni i kreut të Policisë së Shtetit.
Përfshirja e dyshuar e shefes së shërbimit sekret, Vlora Hyseni në mbrojtje të Agasit gjatë kohës që ai strehohej në kompleksin e grupit Troplini e zgjeron skandalin, duke ngritur pikëpyetje të thella mbi mënyrën e funksionimit të institucionit kyç të sigurisë në Shqipëri dhe raportit mes zyrtarëve të lartë publikë dhe eksponentëve të krimit të organizuar.
Sipas të dhënave të rrjedhura në media nga dosja hetimore, nga qershori deri në gusht të këtij viti, mes Hysenit dhe Agasit janë gjetur më shumë se 500 komunikime telefonike në audio, video dhe mesazhe, në të cilat ajo identifikohet drejtpërdrejt me interesat e Agasit kundrejt institucioneve të drejtësisë që po e ndiqnin penalisht.
Hyseni akuzohet gjithashtu jo vetëm për gatishmërinë për ta ndihmuar Agasin, por për vendosjen në dispozicion të tij të cilësisë së saj si zyrtare si dhe të kapaciteteve të institucionit që ajo drejton.
Mesazhet e rrjedhura në media sugjerojnë se në shkelje të rëndë të detyrës, Hyseni e informonte Agasin për takimet me kryeministrin Rama, zyrtarë të lartë të shtetit dhe homologë të huaj. Gjithashtu, në një makinë të Agasit të sekuestruar në korrik janë gjetur nëntë printime në format të madh të diagramave me të dhëna të ngjashme me ato që prodhohen nga Shërbimi Informativ i Shtetit, të cilat janë në proces verifikimi.
Në një dëshmi përpara Prokurorisë, Hyseni ka pretenduar se kishte komunikuar me Agasin pasi ai ishte ofruar si “bashkëpunëtor”, një version i cili hidhet poshtë nga SPAK.
Hetimet e zhvilluara deri më tani nga SPAK ndaj Ergys Agasit sugjerojnë se ai ka pasur ndikim mbi një numër zyrtarësh të lartë të institucioneve kyçe. Ish-zv.kryeministri në arrati, Arben Ahmetaj e ka akuzuar atë publikisht se luante rolin e “një koordinatori” mes botës së nëndheshme të krimit të organizuar dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
© SYRI.net