Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani i ka propozuar Uashingtonit një plan për ndërprerjen e armiqësive, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe, më pas, nisjen e bisedimeve të thelluara për programin bërthamor të vendit.

Lajmi është raportuar nga New York Times, sipas të cilit Araghchi ua ka bërë të ditur këtë gazetarëve gjatë një informimi në kuadër të punimeve të Asamblesë së OKB-së.

Ai tha se Irani është gati ta zbatojë planin sapo Uashingtoni të japë miratimin e tij, duke shtuar se do të preferohej që të arrihej një marrëveshje përpara zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.

"Ne u kemi paraqitur Shteteve të Bashkuara, përmes ndërmjetësve, një plan sipas të cilit, nëse plotësohen disa kushte, Ngushtica e Hormuzit do të rihapej në fund të ditës së shtatë dhe bisedimet do të rifillonin”, tha  Abbas Aragchi, Ministër i Jashtëm i Iranit.

Araghchi para gazetarëve, shpjegoi se propozimi i përmbahej besnikërisht angazhimeve të përfshira në të ashtuquajturin memorandum mirëkuptimi të arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në qershor, por që më pas dështoi shpejt.

Megjithëse propozimi iranian përmban shumë prej kushteve të parashikuara në marrëveshjen e mëparshme, e cila më pas dështoi, diplomacia e zhvilluar në prapaskenë, shkruan më tej NYT, sugjeron se të dyja palët mund të përfitonin ndjeshëm nga gjetja e një mënyre për t’i dhënë fund konfliktit. Zyrtarët iranianë kanë shpjeguar se, ndonëse propozimi është në thelb i njëjtë me memorandumin e mirëkuptimit të qershorit, ai është konceptuar për t’u zbatuar me një ritëm shumë më të shpejtë.

Një zyrtar amerikan, në dijeni të bisedimeve, ka deklaruar se administrata po zhvillon diskutime pozitive dhe konstruktive përmes ndërmjetësve, por SHBA nuk synojnë të nxitojnë për përfundimin e një marrëveshjeje. Sipas asaj që ka deklaruar Araghchi, kushtet e vendosura nga Irani për marrëveshjen parashikojnë që, brenda shtatë ditëve, të ndërpriten të gjitha luftimet, përfshirë ato në Liban, SHBA do të zhbllokonin asetet iraniane të ngrira, të vlerësuara në të paktën 12 miliardë dollar, do të hiqnin sanksionet ndaj naftës iraniane dhe do të anulonin bllokadën detare të vendosur ndaj Iranit.

Në ditën e fundit, do të hapej Ngushtica e Hormuzit. Pas përfundimit të shtatë ditëve, deklaroi Araghchi, do të nisnin menjëherë negociatat gjithëpërfshirëse mbi programin bërthamor të Iranit.

Propozimi iranian erdhi në një kohë kur negociatorët amerikanë po përpiqeshin të rigjallëronin diplomacinë me Iranin lidhur me programin bërthamor, përmes bisedimeve të zhvilluara në kuadër të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se një takim treorësh mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë, i ndërmjetësuar nga Katari, nuk solli ndonjë përparim të rëndësishëm.