‘Mazhoranca i ka bërë bllok drejtësisë’, Dedaj: Rama duhet të mbajë përgjegjësi politike

08:53, 25/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një lidhje Skype në emisionin “Kafe Shqeto”, gazetari Everest Dedaj foli për raportin mes drejtësisë dhe mazhorancës, duke deklaruar se, pavarësisht funksionimit të disa segmenteve të drejtësisë së re, ajo përballet me ndërhyrje dhe presion politik.

Dedaj tha se mazhoranca po përballet me një sërë çështjesh të rënda, duke përmendur arrestimin e disa kryetarëve të bashkive, drejtimin e Bashkisë së Tiranës nga burgu dhe çështjet që lidhen me zyrtarë të lartë të qeverisë.

Ai u shpreh se situata nuk mund të shihet bardhë e zi, pasi përballë drejtësisë është një mazhorancë me pushtet të fortë politik.

Gazetari u ndal edhe te vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe te rastet e Olta Xhaçkës dhe Belinda Ballukut, duke akuzuar mazhorancën se ka tentuar të pengojë veprimin e drejtësisë.

Dedaj deklaroi se ndryshimet ligjore për imunitetin, të cilat sipas tij lidhen me mbrojtjen politike të Ballukut, janë një rast i paprecedent.

Duke komentuar zhvillimet e fundit, ai e vendosi përgjegjësinë politike te kryeministri Edi Rama, duke argumentuar se propozimi për drejtimin e institucionit përkatës ka ardhur drejtpërdrejt nga kryeministri.

“Edi Rama duhet të mbajë jo vetëm përgjegjësi politike”, deklaroi Dedaj, duke kërkuar që në hetim të përcaktohet edhe roli i kryeministrit në këtë çështje.

Pjesë nga intervista:

Kjo e fikjes së radarëve është sublime po ta gjykosh si shprehje. Kemi një pushtet gjyqësor, i cili në njëfarë forme po fuqizohet. Unë kam qenë nga ata gazetarë që kam thënë që segmente brenda drejtësisë së re janë segmente të cilat po funksionojnë të paidentifikuar, ashtu siç ka segmente brenda drejtësisë së re të cilat, fatkeqësisht, janë të infektuar nga sjellja e vjetër e gjyqësorit në Shqipëri. Por ajo çfarë do të duhet theksuar është fakti se, në fakt, nuk kemi një pushtet gjyqësor i cili po vepron i pavarur dhe po vepron i lirë. Kemi një pushtet gjyqësor i cili ka një mazhorancë dhe një kryeministër përballë dhe nuk është kaq, po themi, bardh e zi situata për formën se si po funksionon ky gjyqësor.

Unë do ju përmend vetëm disa fakte. Në qoftë se gjyqësori do të kishte bërë detyrën, nga ana tjetër, ekzekutivi, qeveria, kryeministri dhe gjithë kupola tjetër politike kanë një detyrë publike, kanë llogaridhënien politike, kanë përgjegjësinë morale, publike për të mbajtur përgjegjësi për çka ndodh në vend. Kjo mazhorancë po përballet me skandale që unë, që kam rreth 16 vjet eksperiencë në gazetari e media, të paktën nuk kam dëgjuar jo vetëm për në Shqipëri, por dhe në rajon.

Nga ana tjetër, kemi parë një qeveri që i është vënë drejtësisë. Ke dhjetëra kryetarë bashkie që kanë shkuar në burg, ke kryetarin e Bashkisë Tiranë, i cili po drejton nga burgu, ke dy zëvendëskryeministra, njëri në arrati, tjetra mbrohet nga kjo mazhorancë.

Kemi të paktën tre vendime të Kushtetueses, të cilat nuk respektohen nga kjo mazhorancë. Edhe kur respektohen, ato respektohen në formën e kësaj mazhorance, ndërsa tre vendime të tjera të Gjykatës Kushtetuese, gjykata më e rëndësishme në vend, mazhoranca refuzon që t’i zbatojë. Janë rastet e Olta Xhaçkës.

Nga ana tjetër, kemi zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është pa masë, për shkak se është mbrojtur politikisht nga kjo mazhorancë. Pra, kjo mazhorancë i ka bërë një bllok drejtësisë dhe është rasti, po themi, i paprecedent, kur kryetari i grupit parlamentar socialist bashkë me kryeministrin solli një ligj për të ndryshuar çështjen e imunitetit, për të mbrojtur Belinda Ballukun.

Dhe për të dalë tek situata më e fundit, është që përgjegjësitë politike drejtpërdrejt e kryeministrit, sepse propozimi për kryetaren ishte propozim drejtpërdrejt i kryeministrit. Pa dyshim, ka disa hallka që duhen të funksionojnë, por kur ato hallka ti i ke fiktive, siç është presidenti, i cili është një lodër në xhepin e kryeministrit, pa dyshim këto hallka bien. Pa dyshim që Edi Rama duhet të mbajë jo vetëm përgjegjësi politike, por duhet të jetë edhe një fraksion brenda dosjes, për të parë kush ka qenë roli i tij në këtë çështje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco