Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu komentoi arrestimin e drejtueses së SHISH Vlora Hyseni për veprat penale të nxjerrjes së sekretit shtetëror dhe përkrahjes së autorit të krimit ndaj Ergys Agasit.
Në një intervistë për ‘Kafe Shqeto’ Mediu nënvizon se kemi të bëjmë me një problem jashtëzakonisht të madh të sigurisë tonë kombëtare që ka cënuar edhe marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë të sigurisë dhe inteligjencës.
Ndërkohë hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë zbuluar se anëtarët e krimit të organizuar dhe zyrtarët e lartë të shtetit u bënë bashkë për të mbrojtur Ergys Agasin nga arrestimi gjatë muajve të tij të arratisë.
“Për sa kohë kreu i SHISH ka një akuzë kaq të rëndë, jemi në një problem jashtëzakonisht të madh të sigurisë tonë kombëtare, interesit tonë kombëtar dhe marrëdhënieve me partnerët tanë në një sektor jashtëzakonisht të rëndësishëm të sigurisë dhe të inteligjencës, në mënyrë të veçantë me partnerët tanë strategjikë SHBA e vendet e tjera anëtare të NATO-s.
Sot është e nevojshme të shohim të gjithë faktet proceduriale të emërimit të saj në krye të SHISH. Duke nisur nga momenti I dhënies së shtetësisë shqiptare. Kryeministri është autoriteti që propozon kreun e SHISh.
Unë kam bindjen time se ne nuk kemi një republikë parlamentare, por jemi në një autokraci, ku një njeri vendos për çdo gjë dhe përfill çdo gjë.
Ka rënë piramida e sigurisë kombëtare. Kjo është tërësisht e papranueshme. Sepse të paktën procesi i emërimit është transparent. Unë nuk po kërkoj informacione të klasifikuara por atë që ka detyrë kushtetuese Kuvendi i Shqipërisë I cili për turp nuk e bën vetëm e vetëm se nuk është më një maxhorancë që ka autoritet bashkë me pjesën tjetër të kuvendit që të ushtrojë detyrën kushtetuese që është kontrolli i ekzekutivit por është kthyer në një aneks krejt I pavlerë I ekzekutivit shqiptarë, duke zhbërë në mënyrën më të pamerituar republikën parlamentare dhe parlamentarizmin në Shqipëri. Rama ka një ‘playbook’ të qartë. Thotë unë jam zot e vendos për çdo gjë, pavarësisht se çfarë thotë Kushtetuta apo ligji; deklaroi Fatmir Mediu.
© SYRI.net