Dy persona janë arrestuar nga shërbimet e Policisë së Shtetit në Lushnjë, pasi shisnin doza kokaine në zona të ndryshme në qytet dhe posedonin sendet e kundërligjshme. Ndalimi i tyre është bërë pas muajsh hetime në kuadër të operacionit të koduar “Motoristi”.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, pas disa muajsh hetime të kryera me metoda proaktive, organizoi dhe finalizoi, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, operacionin e koduar “Motoristi”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
- E. Sh., 31 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine në qytetin e Lushnjës, duke përdorur motomjetin me të cilin shpërndante porosi ushqimi. Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 318 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 1 peshore elektronike, fishekë për armë zjarri, 1 grirëse bimësh narkotike dhe 3 celularë;
- S. Gj., 39 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine në qytetin e Lushnjës. Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 3 celularë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
