Të rinjtë dhe fëmijët, pjesë e pandashme e TIFF

25 Shtator 2026, 17:49Kulturë TEMA
Të rinjtë dhe fëmijët, pjesë e pandashme e TIFF

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë (TIFF) vijon angazhimin për edukimin filmik të brezit të ri të cili i ka kushtuar programin KIDs & TEENs, pjesë e PANORAMA Competition.

Programi është konceptuar për fëmijë dhe adoleshentë, duke sjellë një përzgjedhje filmash të animuar dhe me metrazh të shkurtër që trajtojnë tema të rëndësishme të moshës së tyre, si identiteti, familja, miqësia, dashuria, humbja, përkatësia dhe marrëdhënia me botën që i rrethon.

Përmes historive të ndryshme, filmat synojnë t’i ftojnë të rinjtë jo vetëm të argëtohen, por edhe të reflektojnë, të bëjnë pyetje dhe ta shohin realitetin nga këndvështrimi i dikujt tjetër.

Një pjesë e rëndësishme e programit është edhe përfshirja aktive e publikut të ri përmes votimit të audiencës dhe aktiviteteve edukative, duke e kthyer përvojën e festivalit në një hapësirë ku fëmijët dhe adoleshentët mund të shprehin mendimin e tyre dhe të afrohen më shumë me artin e kinemasë.

Në kategorinë KIDs janë përfshirë 14 filma nga vende të ndryshme të botës: Kazakistani, Franca, Holanda, Zvicra, Hungaria, Sllovakia, Norvegjia, Suedia, Rumania, Kina, Japonia, SHBA, Irlanda, Irani dhe Koreja e Jugut.

Për adoleshentët, programi TEENs sjell 11 filma që prekin tema më komplekse të rritjes dhe formimit personal. Përmes kësaj përzgjedhjeje ndërkombëtare, TIFF synon të krijojë një hapësirë ku publiku i ri mund të njohë histori dhe realitete të ndryshme, duke e parë botën përmes përvojave të personazheve të tjerë. A.K./TemA

Lini një Përgjigje