Italia ndalon burkën dhe nikabin në shkolla, vendos kufi për numrin e nxënësve të huaj
Qeveria italiane ka miratuar një dekret të ri për shkollat, i cili sjell disa rregulla të reja për nxënësit dhe familjet.
Sipas dekretit, në shkolla nuk lejohet mbulimi i plotë i fytyrës me burka apo nikab. Ndalimi përfshin edhe maskat kirurgjikale kur ato nuk përdoren për arsye shëndetësore. Shkelësit përballen me gjoba nga 200 deri në 1,000 euro. Kur bëhet fjalë për një të mitur, gjoba u vendoset prindërve.
Një tjetër masë lidhet me nxënësit që nuk kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës italiane. Nëse kjo vështirëson integrimin dhe familja gjithashtu nuk e njeh italishten, prindërit mund të detyrohen të ndjekin një kurs falas të gjuhës. Mosndjekja e kursit mund të sjellë gjobë nga 200 deri në 1,000 euro.
Kufiri 30% për nxënësit e huaj
Dekreti parashikon gjithashtu që nxënësit pa shtetësi italiane dhe me përgatitje të pamjaftueshme shkollore të mos përbëjnë më shumë se 30% të nxënësve në një klasë.
Rregulli nuk zbatohet në mënyrë automatike për të gjithë nxënësit e huaj. Në arsimin fillor, ai prek nxënësit që nuk kanë lindur në Itali ose që nuk kanë ndjekur të paktën dy vite të kopshtit. Në arsimin e mesëm, masa lidhet me nxënësit që nuk kanë përfunduar me sukses të paktën tre vite shkollimi.
Parashikohen edhe përjashtime, ndërsa për shkollat që nuk mund ta respektojnë kufirin 30% është krijuar një fond prej 17.5 milionë eurosh për forcimin e mësimit të gjuhës italiane.
Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, tha se qëllimi kryesor është vendosja e gjuhës italiane në qendër të procesit të integrimit.
Masat kanë shkaktuar edhe kritika. Sindikata e arsimit FLC CGIL i ka cilësuar ato si “propagandistike” dhe të shkëputura nga realiteti i shkollave italiane.
Edhe sindikata e drejtuesve të shkollave DirigentiScuola e ka kritikuar dekretin, duke e cilësuar pjesërisht të pazbatueshëm dhe duke kundërshtuar faktin që masa të tilla hyjnë në fuqi gjatë vitit shkollor./vizionplus.tv




