Babë e bir janë shpallur në kërkim nga Policia e Lezhës, pasi dyshohet se plagosën me armë zjarri një 31-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta në fshatin Manati.
Në kërkim janë shpallur Bebi (Gjergj) Voci dhe Ariseldo Voci, banues në fshatin Tresh, Lezhë.
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, rreth orës 13:10. Sipas hetimeve, gjatë një konflikti me 31-vjeçarin D. P., banues në Lezhë, dy të dyshuarit kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij.
Burime bëjnë me dije se kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin e konfliktit, ku tre personat dyshohet se janë përfshirë fillimisht në një përplasje fizike. Më pas, njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri ndaj Pikulit duke e lënë të plagosur.
Pas ngjarjes, dy të dyshuarit janë larguar me një automjet tip Volkswagen. Policia ka mundur t’i gjurmojë lëvizjet e mjetit deri në Shënkoll të Lezhës, ndërsa janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë autostradës Lezhë-Laç, me qëllim dokumentimin e itinerarit të ndjekur pas largimit nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë, Daniel Pikuli vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve dhe, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore ende të paqëndrueshme, nuk ka dhënë deklarimin e tij para grupit hetimor.














