Aktorja fituese e çmimit “Oscar”, Susan Sarandon, u arrestua të enjten në Nju Jork gjatë një proteste pro-palestineze, e zhvilluar jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara, në të njëjtën kohë kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbante fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme.
Sarandon ishte mes të paktën 30 personave të arrestuar nga policia e Nju Jorkut gjatë protestës kundër Netanyahu-t. Mes të ndaluarve ishte edhe aktorja Hannah Einbinder, e njohur për rolin e saj në serialin “Hacks”, si dhe disa figura politike amerikane.
Protesta u organizua nga “Jewish Voice for Peace”, një organizatë aktiviste hebraike që mbështet palestinezët. Rreth 200 persona u mblodhën pranë selisë së OKB-së, ku mbanin pankarta me mesazhe si “Stop armatosjes së Izraelit”, “Jo luftës” dhe “Palestinë e lirë”.
Sipas policisë së Nju Jorkut, protestuesit kishin bllokuar një kryqëzim dhe efektivët u kërkuan disa herë të largoheshin. Një pjesë e tyre u zhvendosën në trotuare, ndërsa grupi kryesor vijoi të qëndronte ulur në rrugë. Pas kësaj, policia ndërhyri dhe arrestoi personat që nuk iu bindën urdhrit për t'u larguar.
Pamjet nga protesta tregojnë Sarandon duke u marrë nga efektivët me duart e lidhura, ndërsa edhe Einbinder u shoqërua nga policia. Reuters raportoi se nuk ishte menjëherë e qartë nëse ndaj tyre do të ngriheshin akuza.
Arrestimi i Sarandon nuk është i pari rast kur aktorja merr pjesë në protesta lidhur me luftën në Gaza. Gjatë Festivalit të Filmit në Venecia këtë muaj, ajo deklaroi se kishte humbur mundësi pune për shkak të qëndrimeve të saj të shprehura publikisht.
Edhe Hannah Einbinder ka folur publikisht për çështjen palestineze dhe ka deklaruar më herët se nuk do të heshtë për këtë temë, edhe nëse kjo mund të ndikojë në karrierën e saj në Hollywood.
Protesta u zhvillua ndërsa Netanyahu përgatitej të fliste në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Gjatë fjalimit të tij, dhjetëra delegacione u larguan nga salla në shenjë proteste.
Burimi: Reuters
Lini një Përgjigje