Leksikologjia historike veç do të përfitonte nga adoptimi i një modeli darvinian, evolucionar, të llojit “survival of the fittest” – për të shpjeguar dinamikën e marrëdhënieve mes fjalëve dhe arsyet pse disa fjalë dalin nga përdorimi dhe disa të tjera hyjnë në përdorim rishtas.
Një fjalë përshtatet më mirë nëse i kryen punë më mirë përdoruesit të saj; nga ana tjetër, çdo fjalë ka edhe vullnetin a shtysën (drive) për të mbijetuar, falë inercisë; gjë që i ka rrënjët në bindjen – ose edhe shpresën – e përdoruesit se tjetri do ta njohë fjalën që ai përdor. Vetëm se fjala nuk mbijeton si instancë përdorimi ose okurrencë, qoftë e folur (verba volant), qoftë e shkruar; por nëpërmjet replikimit.
Në rastin e turqizmave të shqipes, një pjesë e madhe e tyre ishin të dënuara të dilnin nga qarkullimi, sepse i referoheshin një bote sociale, së cilës kolektiviteti shqiptar po i largohej. Arsyet këtu ishin më shumë historike, se mirëfilli linguistike. Për ta thënë me Xhevat Lloshin: “Po të mos largohej kadiu real osman, as fjala nuk do të largohej ndonjëherë.”[1] Në fakt, në luftën për ekzistencë me neologjizmat gjyqtar a gjykatës, kjo kadi do të kish avantazhin e rrënjosjes në përdorim, ose të inercisë. Ishte tkurrja dhe zhdukja e institucionit specifik osman, që ia këndoi dënimin me vdekje.
Nga ana tjetër, edhe “lufta” e fjalëve mes tyre për ekzistencë është dukuri kulturore, dhe jo vetëm sepse ndodh në mendjet e folësve dhe orienton zgjedhjet e tyre leksikore. Për një kulturë reflekse do të ishte e kushtueshme, madje e shpërdorueshme, që të lejonte humbjen e fjalëve dhe varfërimin leksikor, qoftë edhe për arsye mirëfilli leksik-evolucionare. Më mirë do të ishte sikur fjalët e skartuara, fjalët e skartueshme, dhe ato objektivisht të dënuara me tkurrje dhe largim nga përdorimi, të adoptoheshin nga stile dhe regjistra specifikë.
Ashtu disa turqizma filluan të përdoren për të ngjyrosur leksikalisht letërsinë me temë historike – duke sjellë në tekst elemente që i referohen drejtpërdrejt botës osmane; teksa disa turqizma të tjerë u vunë në punë për të qesëndisur e përqeshur prapambetjen e një shtrese të popullsisë ende besnike ndaj një mënyre jetese të kapërcyer. Për të dy këto përshtatje stilistike, ishte e nevojshme që përdoruesit ta kishin zhvilluar tashmë “shqisën” e dallimit të turqizmave si kategori leksikore më vete. Me gjasë, një çetë operatorësh kulturorë shpresonin edhe se, duke i shënjuar turqizmat në këtë mënyrë dhe duke nxitur aktivisht degradimin e tyre stilistik, do të ndihmonin edhe për ta distancuar kulturën dhe botën shqiptare nga e kaluara osmane; duke vazhduar, si me thënë, edhe në politikat gjuhësore dhe stilistike, luftën “për çlirim” nga Perandoria Osmane. Me kohë, kjo luftë “çlirimtare” do t’i humbte lidhjet e arsyeshme me realitetin social dhe politik, duke u kthyer ajo vetë në institucion kulturor kokëfortë.
Por shqipja filloi t’i përshtatë turqizmat edhe në mënyrë jo-reflekse, kur i orientoi drejt regjistrit bisedor, duke ua modifikuar, sipas nevojave të veta praktike, deri edhe kuptimet që kishin pasur në zanafillë. Po sjell vetëm një shembull, për të ilustruar se çfarë ndodhi.
Fjala hiç ka krijuar një hapësirë të vetën atje ku leksiku rrethpritet me gramatikën – meqë kjo fjalë, apo fjalëz nëse duam, merr tani pjesë në shprehjen gramatikore të mohimit në gjuhë.
Në kuptimin e vet si emër, hiç do të thotë “asgjë”, siç del edhe në dialogun elementar:
(Gjetët gjë? Një hiç të madh gjetëm.)
Por edhe në shprehjen ti je një hiç. Kam përshtypjen se e kam parë të përdoret edhe në kuptimin filozofik të asgjësë, hiçi (angl. nothingless, fr. néant), por do të ketë qenë më shumë ndonjë eksperiment autori.
Megjithatë, përdorimet më interesante të hiç i ndesh në bashkëvajtje me morfema të tjera mohuese. Kështu, dialogun e mësipërm mund ta rishkruanim:
Çfarë gjete? Asgjë, hiç. (Hiç, asgjë)
Dhe këtu nuk themi dot më se hiç ka thjesht kuptim mohor.
Përkundrazi, duket i ngjashëm, për nga kuptimi, me pjesëza përforcuese të mohimit, të tilla si fare dhe aspak.
Nuk fjeta dot hiç (Nuk fjeta dot fare)
Ti nuk më do hiç, më duket (Ti nuk më do fare, më duket)
Unë fol, ai hiç (sërish e alternueshme me fare).
Ndryshe nga fare, e cila përdoret si përforcuese edhe në fjali pohore (e paske qarë fare), ky lloj hiç-i ndeshet veç në ndërtime mohore.
Të gjitha këto përdorime të hiç janë bisedore – në shqipen librore ose formale, hiç nuk gjen dot vend, përveçse si fjalë “e shenjuar”. Dhe kjo është gjë e mirë – sepse dallimi midis një regjistri bisedor dhe një regjistri formal veç mund ta pasurojë shqipen në momentin e tanishëm.
Ka edhe prirje të kësaj fjalëze për t’u përdorur në mënyrën si u drejtohemi fëmijëve:
Hiç nuk më pëlqen kjo që ke bërë!
Të shau ajo, vërtet? Hiç mos i fol më me gojë!
E kështu me radhë. Kjo ndodh ngaqë të folurit me fëmijët e kërkon teprinë (redondancën), dhe hiç në ndërtime mohore është zakonisht redondante.
Përndryshe, hiç hyn mes grupit të fjalëve më të përdorura në shqipen bisedore, ngaqë ka zënë vend në formulën standard të përshëndetjes mes miqve:
Ç’kemi? Hiç, ç’të kemi? [ose]
Ç’kemi? Hiç, asgjë me rëndësi. Të zakonshmet.
Të vërehet edhe forma më e thjeshtë:
Në këto ndërtime, hiç specializohet për të zbutur impaktin e pyetjes, në atë lloj komunikimi që e kanë quajtur fatik (Malinoëski, Jakobson; ndryshe edhe grooming speech ose small talk), dhe që synon mirëmbajtjen e kanalit dhe ruajtjen e kontaktit.[2]
Këtu hiç është e ndërkëmbyeshme me asgjë (por mund të përdoren edhe të dyja bashkë: hiç, asgjë; ose hiç, jo ndonjë gjë të madhe).
Nga ana tjetër, larmia e përdorimeve si këto më poshtë:
Hiç mos ia jep, le të ta kërkojë.
Hiç, mos m’u lut kot, nuk ta jap.
E bën hiç një pjesëz me sintaksë shumë fluide dhe me kuptim më shumë përforcues të mohimit në bashkëvajtje me morfema të tjera, sesa thjesht mohor.
Kjo e bën të krahasueshme me frëngjishten mohore pas, e cila edhe ajo e pat nisur karrierën si përforcuese e mohimit, pa çka se sot është gramatikalizuar.
Më në fund, është për t’u habitur që kjo hiç e ka gjetur rrugën drejt sistemit fjalëformues të përemrave shqip (fushë mjaft e gramatikalizuar), duke na dhënë hiçgjë, hiçmosgjë, hiçkurrgjë etj.
Në Gjirokastër dëgjohet edhe hiçnjeri për “askush, asnjeri”.
Pyetja që duhet bërë, në këtë rast, është se si dhe pse është ruajtur kjo fjalë në shqipe, në kushtet kur ka qenë lehtësisht e zëvendësueshme nga fare, përkatësisht aspak dhe, në kontekste të tjera, nga asgjë, asfare, kurrgjë, mosgjë madje edhe zero (khs. pesë me hiç) ose jo.
Kushedi e ka ndihmuar specializimi në ligjërimin bisedor (teksa aspak, bie fjala, është specializuar në ligjërimin libror; ndërsa fare e ka ruajtur përdorshmërinë në të gjithë regjistrat).
Por edhe një farë algjebrizimi i kuptimit, që i ka dhënë universalitet përdorimi – ose aftësia për ta shprehur mohimin [ – ] në mënyrë abstrakte, pa e lidhur ngushtë me ndonjë gjymtyrë të fjalisë.
Dua të them, hiç vërtet ka qenë e zëvendësueshme në të gjitha kontekstet ku del, por ama me fjalë të ndryshme të shqipes: asgjë, fare, jo. E njëjta dukuri, algjebraizimi, ndeshet – besoj – edhe në disa orientalizma të tjerë të rrënjosur në leksik, si qejf dhe zor; kushedi ngaqë, si fjalë edhe popullore edhe abstrakte, janë përdorur para neologjizmave të hyrë në përdorim më vonë (khs. kënaqësi, dëfrim, vështirësi). Këtu ndoshta hyn edhe kot, që pas gjase nuk është orientalizëm.
Ky adoptim krijues i kësaj fjale mbase nuk ka fare të bëjë me statusin e saj prej turqizmi të rrezikuar, por vetëm rezultati fatlum i një diferencimi kuptimor të vetvetishëm. Çfarë nuk ndryshon asgjë nga fakti që hiç është sot nga fjalët më të përdorura në regjistrin bisedor të shqipes.
*
Ndryshe nga ç’ndodh në natyrë dhe gjatë proceve të seleksionit natyror, kultura priret t’i kursejë e t’i rekuperojë produktet që përndryshe seleksioni “kulturor” do t’i kish skartuar, duke i përshtatur në funksione dhe në misione të tjera. Kjo nuk vlen vetëm në produksionin gjuhësor dhe letrar, përkundrazi; mjaft të kujtoj këtu që shoqëritë kujdesen për moshat e vjetra dhe i ndihmojnë për t’i përballuar kusuret e plakjes; siç kujdesen për të sëmurët, duke shpenzuar nganjëherë energji dhe kapitale të mëdha, për t’i shëruar ose edhe për t’i lehtësuar në vuajtjet e tyre; dhe për të varfrit, që këta mund të jetojnë një jetë dinjitoze, edhe kur nuk i kanë burimet e mjaftueshme materiale.
Le t’i mendojmë pra, turqizmat, si projeksionin leksikor të një bote tashmë të lënë prapa nga historia, dhe tanimë jo ekzaktësisht reale dhe që ka ngecur në kohë; të një bote që ndoshta do të ishte më saktë ta shihnim si “shqiptari osmane” sesa si thjesht ndikimin e Perandorisë Osmane ndaj shqiptarëve, dhe që sot i ka lënë gjurmët edhe në arkitekturën e qyteteve, edhe në kulturën materiale, në kuzhinën “tradicionale” dhe deri edhe në shkallët muzikore të disa këngëve popullore sidomos qytetare. Ky projeksion meriton jo thjesht të identifikohet, por edhe të gjykohet si pjesë e identitetit tonë historik.
Një shembull nga biologjia – edhe pse jo tërësisht i goditur shkencërisht – mund të ndihmojë. Shkencëtarët sot mendojnë se rreth 8% e DNA-së njerëzore konsiston në mbetje nga viruse të lashta, ndërsa një 40% tjetër janë vargje (stringa) shkronjash gjenetike që besohet se janë me origjinë virale, pra që vijnë nga infeksione të dikurshme. Te ky shembull ka shumë gjëra që nuk shkojnë – huazimet dhe ndikimet kulturore në përgjithësi nuk janë viruse, por shpesh replikohen ngjashëm me viruset; infeksionet zakonisht janë të dëmshme për organizmin individual, ndërsa një pjesë e madhe e këtij materiali gjenetik, që i është “ngjitur” DNA-së njerëzore nga gjallesa të tjera luan rol të dobishëm në mirëmbajtjen dhe riprodhimin e jetës; megjithatë, imazhi – dhe ideja – se në kodin tonë gjenetik si specie janë trupëzuar elemente kodesh gjenetike gjallesash të tjera ndihmon për të kuptuar kontaktet mes kulturave dhe projeksionet e kulturave të ndryshme te njëra-tjetra.
Duke pasur parasysh këtë model metaforik, do ta kuptojmë më mirë si ka ndodhur, për shembull, që shqipja e sotme bisedore të ketë adoptuar një numër relativisht të madh turqizmash, të cilat nuk kanë pasur asgjë “bisedore” në zanafillë; duke u dhënë funksione të reja; dhe jo sepse ka pasur ndonjë synim për t’i shpëtuar këta turqizma nga shuarja dhe zhdukja, por sepse i ka parë të përshtatshme për të realizuar diferencime të tilla, relativisht të sofistikuara dhe të nevojshme për një gjuhë drejt realizimit të potencialit të saj të plotë social dhe kulturor.
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ilustrimi është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.
[2] Të vërehet se me këtë funksion “zbutës” del edhe niente në italishte.
Lini një Përgjigje