Muriqi pas fitores ndaj Irlandës: Këtë triumf ua dedikoj çlirimtarëve tanë!
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka qenë vendimtar në fitoren e përfaqësueses së Kosovës ndaj Irlandës në ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve.
Pas përfundimit të ndeshjes, Muriqi theksoi rëndësinë e marrjes së tri pikëve në startin e ciklit të ri, ndërsa veçoi edhe mbështetjen e tifozëve në stadium.
“Duke marrë parasysh që kemi nisur një cikël të ri të Nations League për kombëtaren tonë, ka qenë shumë me rëndësi që ndeshjen e parë para shikuesve tanë ta fitojmë”, u shpreh Muriqi për Klan Kosova.
Ai tha se skuadra e kishte analizuar kundërshtarin dhe kishte arritur ta mbante ndeshjen nën kontroll.
“I kemi ditë pikat e dobëta të Irlandës, jemi munduar ta kemi lojën në kontroll dhe besoj që e kemi pasur gjatë gjithë kohës”, deklaroi sulmuesi kosovar.
Muriqi falënderoi bashkëlojtarët, stafin teknik, atë mjekësor dhe tifozët për kontributin në këtë fitore.
“Me rëndësi ka qenë fitorja. E përgëzoj gjithë ekipin, shtabin teknik, shtabin mjekësor. Ju lumshin këmbët, duart e goja gjithë tifozëve tanë që kanë qenë këtu”, tha ai.
Në fund, Muriqi ia kushtoi fitoren ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-krerëve të saj.
“Fitoren veçanërisht ua dedikoj çlirimtarëve tanë, krerëve të UÇK-së”, deklaroi Muriqi.

