Akuzohet për përvetësimin e 700 mijë eurove nga Posta Shqiptare, lirohet nga burgu ish-drejtoresha, Elisabeta Mataj

25/09/2026 10:48

Gjykata e Durrësit ndryshon masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së filialit të Postës Durrës.

Korrespondentja e Top Channel, Vali Qyrfyçi raporton se nga masa e sigurisë “arrest në burg”, Elisabeta Mataj kalon në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Mataj ndodhej në paraburgim prej 18 korrikut, nën hetim për dyshimet mbi vjedhjen në bashkëpunim përmes shpërdorimit të detyrës të 69 milionë lekëve, fonde të destinuara për qytetarët në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.

Ndryshimi i masës është kërkuar nga Mataj dhe mbrojtja e saj, e cila kundërshton pretendimin e prokurorisë, e cila kërkoi vijimin e masës së sigurisë, se provat e administruara pas vendosjes së masës kanë rënduar pozitën procedurale të Matajt.

Një nga argumentet kryesore lidhet me deklarimet e personave të pyetur gjatë hetimit. Sipas mbrojtjes, një pjesë e tyre bazohen në atë që ka deklaruar më herët Valbona Duni, ish-shefja e financës dhe njëkohësisht person nën hetim në të njëjtën çështje. Mbrojtja sjell në vëmendje edhe deklarimin e llogaritares së parë të filialit, Luljeta Z., e cila ka folur për një episod ku Mataj ka marrë nga zyra një fond që i ishte thënë se ishte për Shijakun. Sipas mbrojtjes, deklarimi nuk përcakton shumën, datën apo dokumentacionin që do ta lidhte këtë fond me 69 milionë lekët objekt hetimi. Po në këtë deklarim thuhet se një kontroll i arkës në mars 2026 kishte rezultuar me “rakordim të plotë”.

Një tjetër pikë e ngritur nga mbrojtja lidhet me procedurën e lëvizjes së parave. Sipas Drejtoreshës së Financës në Drejtorinë e Përgjithshme të Postës, fondet duhet të kalojnë përmes një zinxhiri procedurash: nga kërkesa dhe miratimi, te krijimi i mandatpagesës, dalja nga arka, transporti i sigurt, marrja nga dega pritëse dhe mandatarkëtimi. Mbrojtja ka argumentuar para gjykatës se, nëse fondet kanë lëvizur realisht nga Durrësi drejt Shijakut dhe Krujës, duhet të ekzistojnë gjurmë dokumentare dhe fizike të këtij procesi. Në të kundërt, sipas saj, mbetet për t’u sqaruar nëse mandatpagesat pasqyrojnë lëvizje reale të parave apo vetëm veprime dokumentare. Sipas deklarimit të Drejtoreshës së Financës, Duni kishte akses në sistemin “Eterna Kontabilitet” dhe detyrimin për të kryer rakordimet mujore me degët. Mbrojtja kërkon që këto veprime dhe gjurmët elektronike të verifikohen për të përcaktuar se kush i ka krijuar mandatpagesat dhe si janë regjistruar ato.

Një tjetër element i përmendur është një video, për të cilën një specialist sigurie ka deklaruar se i ishte treguar nga Elisabeta Mataj kur qe ne detyre. Sipas dëshmisë, në pamje shfaqej Valbona Duni duke lëvizur një thes me vlera monetare nga arka drejt zyrës së saj. Mbrojtja kërkon administrimin dhe verifikimin e videos origjinale.

Në dosje është paraqitur edhe një ekspertim grafik privat, sipas të cilit shkrimi dhe nënshkrimet në 3 mandatpagesa, me vlera 5, 5 dhe 3 milionë lekë, dyshohet se janë kryer nga i njëjti person dhe në emër të financierit dhe të marrësit. Sipas mbrojtjes, ky konstatim kërkon një ekspertim zyrtar dhe verifikimin e dokumenteve origjinale.

Përveç elementeve të provave, mbrojtja ka paraqitur edhe rrethana të reja shëndetësore dhe familjare. Gjatë qëndrimit në paraburgim, gjendja shëndetësore e Matajt është përkeqësuar. Ajo edhe është shtruar në spital. Dokumentacioni i paraqitur nga mbrojtja përmend ndër të tjera gjendje depresive, atake paniku dhe probleme me tensionin arterial.

Po ashtu, mbrojtja ka paraqitur dokumentacion vleresimi psikologjik për fëmijët e mitur, duke argumentuar se gjatë periudhës së paraburgimit janë shfaqur problematika konkrete te disa prej tyre.

Mbrojtja ka kërkuar që këto rrethana të vlerësohen së bashku me gjendjen aktuale të provave dhe nevojat e sigurimit, duke propozuar një masë më të butë. Gjykata vendosi zëvendësimin e “arrestit në burg” me “arrestin në shtëpi”.

Në këtë çështje nën hetim, për të njëjtën vepër penale, janë edhe ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana, të cilat gjithashtu ndodhen nën masën “arrest në shtëpi”.

Top Channel