Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova, deklaroi se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian përbën një çështje evropiane, e cila duhet të shqyrtohet brenda institucioneve të BE-së dhe sipas procedurave të përcaktuara. Deklarata u bë në përgjigje të një pyetjeje lidhur me një intervistë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të RMV-së, Timço Mucunski, për agjencinë shtetërore të lajmeve AIM, raporton “BTA”.
Të lidhura
None found
Sipas ministres bullgare, Sofja e mbështet angazhimin e Komisionit Evropian me të gjitha vendet që janë në proces negociatash për anëtarësim, ndërsa vlerëson edhe rezultatet e arritura në kuadër të Këshillit Evropian.
Ministria e Jashtme e Bullgarisë theksoi se vendi ka qenë vazhdimisht i gatshëm për dialog konstruktiv me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në deklaratë thuhet se disa shtete kandidate kanë shënuar përparim të rëndësishëm në përmbushjen e detyrimeve të tyre, pavarësisht një mjedisi të ndërlikuar sigurie.
“Ne presim që edhe Republika e Maqedonisë së Veriut të përmbushë detyrimet e saj dhe të ndërmarrë ndryshimet e nevojshme për të avancuar në rrugën drejt Evropës”, u shpreh Ministria e Jashtme bullgare.
Më herët, në një prononcim për AIM, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, tha se Shkupi kërkon përfshirjen e Bashkimit Evropian në bisedimet e ardhshme me Bullgarinë. Sipas tij, kjo pjesëmarrje mund të realizohet përmes shteteve anëtare veç e veç ose përmes institucioneve evropiane.
Mucunski nënvizoi se prania e BE-së në çdo takim të ardhshëm me Bullgarinë është e rëndësishme për Maqedoninë. Ai sqaroi se forma e përfshirjes nuk është përcaktuese, pasi rëndësi ka që në proces të jetë të paktën edhe një palë tjetër që mund të kontribuojë në forcimin e besimit.
Ministri maqedonas vlerësoi se mes Maqedonisë dhe Bullgarisë vazhdon të ketë një “mungesë themelore besimi”./Telegrafi/
