
Gjykata e Durrësit ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” me “arrest në shtëpi” për ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës Elisabeta Mataj.
Mataj ndodhej në paraburgim prej muajit korrik, nën hetim për dyshimet mbi përvetësimin e rreth 69 milionë lekëve të rinj, fonde të destinuara për pensionet në degët e Postës në Shijak dhe Krujë. Sipas informacionit për vendimin e ri, gjykata ka vlerësuar se në këtë fazë të hetimit nuk ka prova të mjaftueshme për vijimin e masës më të rëndë të sigurimit personal.
Ndryshimi i masës nuk nënkupton pushimin e hetimeve dhe as shpalljen e pafajësisë së të hetuarës. Përgjegjësia penale do të përcaktohet në përfundim të procesit gjyqësor. Elisabeta Mataj është një nga tre zyrtaret e Postës së Durrësit të përfshira në hetim. Në korrik, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana u lanë që në fillim në “arrest në shtëpi. Hetimet për mungesën e rreth 69 milionë lekëve vijojnë.