“Efekti Zidane” ka filluar të ndihet, gazetari turk i kërkon autograf legjendës franceze
Aura dhe karizma që Zinedine Zidane shfaqte në fushën e futbollit duket se vazhdojnë ta shoqërojnë edhe jashtë saj. Këtë e dëshmoi një moment i veçantë gjatë konferencës për media të trajnerit francez. Një gazetar turk, i pranishëm në konferencë përpara ndeshjes së Ligës së Kombeve mes Turqisë dhe Francës, nuk e fshehu admirimin për ish-yllin e Bordeaux, Juventusit dhe Real Madridit.
Fillimisht, gazetari deklaroi se ishte i emocionuar që ndodhej përballë Zidane dhe më pas e pyeti për Arda Gulerin, talentin turk që luan te Real Madridi.
“Është një ëndërr për mua të jem këtu përballë jush. Pyetja ime si gazetar është kjo: mendoni se do të ketë Zidane të tjerë? Ju e keni drejtuar Real Madridin dhe Arda Güler luan aty. Mendoni se do të ketë lojtarë të tjerë si ju?”, pyeti gazetari.
Por pyetja nuk ishte e vetmja gjë që ai kishte përgatitur. Duke lënë për një moment mënjanë rolin e gazetarit, ai i kërkoi publikisht Zidane një autograf.
“Jam një tifoz i madh i juaji dhe kam sjellë një libër. A mund të ma nënshkruani?”, tha ai.
Zidane, i befasuar nga kërkesa, pranoi menjëherë, duke i premtuar gazetarit se do ta nënshkruante librin pas konferencës.
“Do ta bëjmë më pas, pa problem”, u përgjigj ish-kampioni francez.
Ndërkohë, duke iu rikthyer pyetjes për Arda Gülerin, Zidane foli me superlativa për talentin turk, por shmangu çdo krahasim të drejtpërdrejtë me veten.
“Arda Güler është padyshim një lojtar shumë i madh turk që luan te Real Madridi. Ka shumë personalitet dhe, për moshën e tij, e di shumë mirë se çfarë bën. Jam i lumtur për të dhe për Real Madridin, që ka një lojtar si ai”, u shpreh Zidane.
Sa i përket pyetjes nëse futbolli do të prodhojë lojtarë të tjerë me profilin e tij, ai preferoi të përqendrohej te skuadra që tashmë drejton.

