Përvetësimi i 700 milionë lekëve nga Posta Shqiptare/ Ish-drejtoresha del nga burgu

Përvetësimi i 700 milionë lekëve nga Posta Shqiptare/ Ish-drejtoresha del nga burgu

10:53, 25/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, duke zëvendësuar “arrestin në burg” me “arrestin në shtëpi”.

Mataj ndodhej në paraburgim që prej muajit korrik, nën hetim për dyshimet mbi përvetësimin e rreth 700 milionë lekëve të vjetër, fonde të destinuara për pagesën e pensioneve në degët e Postës Shqiptare në Shijak dhe Krujë.

Sipas vendimit të gjykatës, në këtë fazë të hetimit kanë ndryshuar rrethanat, çka ka sjellë zbutjen e masës së sigurisë.

Megjithatë, ndryshimi i masës nuk nënkupton përfundimin e hetimeve dhe as shpalljen e pafajësisë së Matajt.

Elisabeta Mataj është një nga tre zyrtaret e Postës Shqiptare në Durrës të përfshira në hetim. Në muajin korrik, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana u vendosën që në nisje të hetimit nën masën “arrest në shtëpi”.

NJOFTIMI ZYRTAR

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për çështjen e sipërcituar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka disponuar me Vendimin Nr. 509/5, datë 25.09.2026, ku ka vendosur: 

VENDOSI
1. Pranimin e kërkesës të personit nën hetim Elisabeta Mataj. 
2. Zëvëndësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj personit nën hetim E.M. me vendimin Nr.509/2, datë 18.07.2026, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale. 
3. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të personit nën hetim E. M. nga dhomat e paraburgimit nëse nuk mbahet e paraburgosur për ndonjë vepër tjetër penale. 
4. Urdhërohet personi nën hetim E. M. të qëndrojë dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen nr.xx, Qyteti Durrës. 
5. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi. 
6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) diteve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të gjykatës. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco