AKTUALITET, 25 September 2026, 11:12

Gara/ Kandidatët për KLGJ prezantojnë platformat: Jemi në momente sprove, ta bëjmë gjyqësorin më të mirë

Në procesin për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor, kandidatët që garojnë për përfaqësimin e Gjykatës së Lartë kanë prezantuar qëndrimet dhe prioritetet e tyre për pesë vitet e ardhshme.

Arbena Ahmeti, kandidate për KLGJ nga Gjykata e Lartë, u ndal te nevoja për bashkëpunim më të madh institucional dhe mbështetjen ndaj gjyqtarëve.

“KLGJ duhet të bashkëpunojë aktivisht me institucionet përgjegjëse. Shoqatat e gjyqtarëve përballen me mungesë fondesh dhe infrastrukture, ndaj Këshilli duhet të ofrojë mbështetje”, u shpreh Ahmeti.

Ajo kërkoi gjithashtu besimin e kolegëve për mandatin e ardhshëm: “Nëse më jepni besimin tuaj për pesë vitet e ardhshme, premtoj që do të kemi një gjyqësor të mirë”.

Sandër Simoni, kandidat për KLGJ nga Gjykata e Lartë, e vlerësoi situatën e sistemit gjyqësor si një periudhë konsolidimi dhe njëkohësisht sprove.

“Pushteti gjyqësor është në një fazë konsolidimi dhe në momente sprove, për shkak të ngarkesës në punë”, tha Simoni.

Ai iu referua edhe disa prej çështjeve që kanë vënë në provë sistemin gjatë kësaj periudhe: “Ngjarja e rëndë e humbjes së kolegut dhe konflikti i pagave ishin sprovë, së pari për garantimin e sigurisë dhe për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.

Ndërkohë, Fatri Islamaj, kandidat për KLGJ nga Gjykata e Apelit, u ndal te sfidat me të cilat përballet sistemi gjyqësor.

“Sfidat janë të shumta. Agresioni i paprecedentë me të cilin u përballëm gjatë këtij muaji për pagat përbën goditjen më arrogante”, deklaroi Islamaj.

Ai renditi edhe disa prej prioriteteve që, sipas tij, duhet të ketë KLGJ-ja: “Përshpejtim në kohë të vlerësimit të gjyqtarëve, rishikim të numrit të gjyqtarëve, sidomos në gjykatat ku ka stok, si dhe përmirësim të infrastrukturës. KLGJ duhet të jetë më pranë gjykatave”.