(EMRI) Shqiptari në SHBA rrezikon 20 vite burg, drejtonte faqen e mashtrimeve kibernetike “Rydox”

Një 28-vjeçar nga Kosova, Ardit Kutleshi, ka pranuar fajësinë në Shtetet e Bashkuara për akuzat që lidhen me krijimin dhe drejtimin e “Rydox”, një platformë online e përdorur nga persona të përfshirë në krimin kibernetik për blerjen dhe shitjen e të dhënave personale të vjedhura dhe mjeteve për kryerjen e mashtrimeve në internet.
Sipas dokumenteve të gjykatës amerikane, “Rydox” ka qenë aktiv të paktën që prej vitit 2016 dhe përmes platformës janë kryer më shumë se 7,600 transaksione me të dhëna personale, dokumente identifikimi, kredenciale dhe shërbime të lidhura me aktivitetet kibernetike. Të ardhurat nga këto aktivitete dyshohet se kanë arritur në të paktën 232 mijë dollarë.
Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se në platformë shiteshin edhe të dhëna të vjedhura nga persona në Shtetet e Bashkuara, përfshirë identitete dhe kredenciale hyrjeje të mijëra individëve.
Kutleshi u arrestua nga autoritetet e Kosovës në dhjetor 2024 dhe u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në vitin 2025. Po atë vit, autoritetet amerikane sekuestruan domenin “Rydox.cc”, duke ndërprerë aktivitetin e platformës.
28-vjeçari u deklarua fajtor në Gjykatën Federale për Distriktin Perëndimor të Pensilvanisë për vjedhje të rënduar të identitetit dhe komplot për pastrim parash. Për akuzën e vjedhjes së rënduar të identitetit, Kutleshi përballet me një dënim minimal të detyrueshëm prej dy vitesh burg, ndërsa akuza për komplot për pastrim parash parashikon një dënim maksimal deri në 20 vite burg.
Seanca për caktimin e dënimit është planifikuar për 9 shkurt 2027. Hetimi është zhvilluar nga FBI, në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, SPAK-un në Shqipëri, si dhe autoritetet policore dhe të drejtësisë në Malajzi.
Në këtë çështje është përfshirë edhe vëllai i Ardit Kutleshit, Jetmir Kutleshi, i cili kishte pranuar më herët fajësinë dhe ishte dënuar në dhjetor 2025, përpara deportimit të tij drejt Kosovës.


