Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në fjalën e mbajtur në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, ku priten të zgjidhen 3 anëtarë të KLGJ, u ndal edhe te debati për pagat e magjistratëve dhe tryeza e konsultimit të thirrur nga Edi Rama me institucionet e drejtësisë.
‘Sadushi i partisë’ e pranoi dialogun me Ramën, por tha se duhet pritur edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë ccështje.
“Kushtetuta nuk negociohet. As gjykimi kushtetues nuk mund të zëvendësohet nga një tryezë dialogu”, u shpreh Sadushi.
Ai sqaroi se kjo nuk nënkupton mbylljen e dialogut institucional.
Sipas tij, institucionet duhet të jenë të gatshme të ulen në tryezë, të paraqesin qëndrimet e tyre dhe të diskutojnë me argumente, pa hequr dorë nga kompetencat kushtetuese.
“Prania në tryezë nuk do të thotë heqje dorë nga qëndrimet tona dhe as pranim i premisave të palës tjetër. Dialogu nuk është nënshtrim”, tha ai.
Sadushi tha se çështja e pagave është e rëndësishme, pasi lidhet me garancitë e pavarësisë së gjyqësorit.
Megjithatë, sipas tij, një dialog serioz mes pushteteve nuk duhet të kufizohet vetëm te pagat.
Ai kërkoi që diskutimi të përfshijë edhe numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, plotësimin e vendeve vakante, uljen e stokut të çështjeve, shkurtimin e kohëzgjatjes së proceseve, administratën gjyqësore, teknologjinë, infrastrukturën, sigurinë dhe financimin.
“Pushtetet janë të ndara, por shteti është një”, tha Sadushi.
© SYRI.net