Ambasada amerikane në Prishtinë shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë dhe Kuvendin e ri të Kosovës, me synimin që të çohen përpara “prioritetet e përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë”.
Të lidhura
None found
Mesazhi u publikua në rrjetet sociale dy ditë pasi Gjykata Kushtetuese konfirmoi se Qeveria e re, e drejtuar nga Albin Kurti, ishte zgjedhur në përputhje me Kushtetutën.
Gjykata më e lartë e vendit bëri të ditur gjithashtu se deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë kanë kohë deri më 6 tetor për të zgjedhur presidentin e ri.
Për përfundimin e konstituimit të Kuvendit, Kushtetuesja u ka kërkuar deputetëve të zgjedhin edhe nënkryetarin e dytë, i cili duhet të vijë nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kuvendi u konstituua më 13 shtator, ndërsa disa orë më pas u votua Qeveria Kurti 4.
Vendimi i Kushtetueses ka nxitur veprimet e Kuvendit, ku kryesia zhvillon sot mbledhjen e parë të legjislaturës së njëmbëdhjetë.
