Gjykata e Posaçme ka lënë këtë të premte në burg Hasan Ndërjakun pjesë e grupit të Visit të Pojës. Gjykata rikonfirmoi masën teksa pas kapjes së tij në Itali, kishte qëndruar në masën e arrestit në shtëpi.
Gjatë seancës avokati i Ndërjakut, Rigert Koni, kërkoi që në gjykim të administrohej edhe vendimi i Gjykatës italiane, i cili lidhet me kushtet dhe kufijtë e ekstradimit. Sipas mbrojtjes, vendimi i Gjykatës italiane nuk ndodhej në administrim as të Prokurorisë dhe as të Gjykatës, pavarësisht se Hasan Ndërjaku ishte ekstraduar në Shqipëri vetëm dy ditë më parë.
Avokati Koni kërkoi që vendimi italian të administrohej dhe të merrej në konsideratë nga gjykata, veçanërisht për pjesën ku autoritetet italiane sipas nuk kanë pranuar kërkesën për ekstradim për akuzën e “grupit të strukturuar”, duke e lejuar atë vetëm për veprën penale të shitjes së narkotikëve. Megjithatë, Gjykata e Posaçme vendosi vijimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” për Ndërjakun.
Grupi i Visit të Pojës u godit në kuadër të operacionit ‘Ura’ dhe dyshohet se kanë trafikuar rreth 3.6 ton kokainë dhe kanabis. Gjatë operacionit, atyre ju sekuestruan 4 milionë euro cash dhe 12 milionë euro prona.

