AKTUALITET, 25 September 2026, 11:26

“Gazetarët nuk janë armiq”/ Luarasi dënon deklaratat e Vlora Hysenit ndaj Klodiana Lalës

Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale lidhur me reagimin e ish-drejtueses së SHISH-it ndaj gazetares Klodiana Lala në hyrje të GJKKO-së.

Luarasi e cilëson të papranueshëm deklaratarën, duke theksuar se gazetarët duhet të marrin përgjigje për pyetjet e tyre dhe jo shantazh apo kërcënime.

“Deklarata e ish-drejtueses së SHISH-it ndaj Klodiana Lalës në hyrje të GJKKO-së është e papranueshme. Një gazetare po bënte një pyetje me interes publik.

Në vend të përgjigjes mori insinuata që dëmtojnë reputacionin, integritetin profesional dhe sigurinë e saj personale. Si zëvendëskryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, i bëj thirrje SPAK-ut që ta trajtojë me seriozitet dhe me përparësi kallëzimin e gazetares. I bëj thirrje gjithashtu institucioneve përgjegjëse që të garantojnë mbrojtjen e saj.

Pyetjet e gazetarëve duhet të marrin përgjigje, jo kërcënime. Mbrojtja e gazetarëve është detyrim i shtetit dhe kusht për demokracinë. Gazetarët që bëjnë pyetje nuk janë armiq”, tha ajo.