Rajoni

Ambasada amerikane: Presim me padurim të punojmë me Qeverinë dhe Kuvendin e ri të Kosovës!

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se pret me padurim që të punojë me Qeverinë dhe Kuvendin e ri të Kosovës për të “avancuar prioritetet e përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin reciprok”.

I publikuar në rrjetet sociale, njoftimi vjen dy ditë pasi Gjykata Kushtetuese deklaroi se Qeveria e re e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, është zgjedhur në mënyrë kushtetuese.

Gjykata më e lartë në vend qartësoi edhe se deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë kanë afat deri më 6 tetor që të zgjedhin presidentin e ri të vendit.

Sa i përket konstituimit të Kuvendit, Kushtetuesja iu kërkoi deputetëve që të zgjedhin edhe nënkryetarin e dytë, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kuvendi u konstituua më 13 shtator dhe disa orë më vonë u votua Qeveria Kurti 4.

Ndërkaq, njoftimi i Kushtetueses vuri në lëvizje Kuvendin e Kosovës, kryesia e të cilit, sot mban mbledhjen e parë të legjislaturës së njëmbëdhjetë.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.