Kristjan Asllani dhe Klisman Cake sipas të gjitha gjasave do të jenë mungesa për kombëtaren shqiptare të shtunën kur kuqezinjtë të përballen me Bjellorusinë në Ligën e Kombeve. Si mesfushori ashtu edhe mbrojtësi, të enjten për të dytën ditë me radhë, munguan në strërvitje, duke ngritur jo pak shqetësim te trajneri Maran.
Për Asllanin gjithsesi ka pak shpresa, pasi punoi i diferencuar si në fushë ashtu edhe në palestër, por do të shihet në vijim nëse stafi do vendosë ta rrezikojë, duke patur parasysh se janë 4 sfida. Klisman Cake ndërkohë po ndjek programin e rikuperimit nën kujdesin e stafit mjekësor të Kombëtares.
Pas 4 ditësh përgatitje trajneri ka punuar duke marrë disa përgjigjje për formacionin. Ai pritet të zbresë në fushë me skemën 4-2-3-1, ndërsa enigmat nisin që në portë me rikthimin e Berishës. Ky i fundit ka më shumë gjasë ta nisë titullarë edhe pse Alen Sherri po pret momentin e tij në mungesë të Strakoshës.
Në mbrojtje pritet të jetë 4-shja e zakonshme me Hysajn, Ismajlin, Gjimshitin dhe Mitajn. Në mesfushë Ylber Ramadani dhe Julian Shehu, ndërsa 3-shja para pritet të përbëhet nga Arbër Hoxha, Ernest Muçi si numër 10 dhe Taulant Seferi. Maja e sulmit me shumë gjasë do ti takojë Rey Manajt.
Shqipëri-Bjellorusi të shtunën në orën 20:45 në Air Albania është ndeshja e parë e kuqezinjve për sezonin e ri të Ligës së Kombeve, ndërsa 3 ditë më pas, më 29 shtator, kombëtarja do të luajë në transfertë kundër San Marinos.











Komente
Komento