Nga Ylli Manjani
Ka diçka madhështore në mënyrën si ky vend i zgjedh rreziqet kombëtare. Jo lufta. Jo krimi. Jo kufijtë. Jo ekonomia. Jo të dhënat personale që dalin në pazar. Jo institucionet që rrjedhin si sitë.
Jo.
Siguria e kombit nuk ka qenë kurrë kaq e rrezikuar sa sot, kur dolën disa SMS të Gysit me zonjën Vlorë. Alarm maksimal. Gjendje pothuajse lufte. Mblidhni Këshillin e Sigurisë. Ngrini radarët. Njoftoni aleatët. Kombi është nën sulm… sentimental.
Ndërkohë, ky komb paskësh qenë shumë më i sigurt kur i shisnim naftë ushtrisë së Millosheviçit. Ishte i sigurt kur hynim në sherre minoritetesh. Ishte i sigurt kur zgjedhjet fitoheshin me rezultate që edhe matematika refuzonte t’i njihte. Ishte i sigurt kur opozita rrihej se protestonte.
Ishte i sigurt kur u thyen depot e ushtrisë dhe u armatosëm kundër njëri-tjetrit. Kur digjeshin redaksi gazetash. Kur vriteshim “pa dashje”. Kur u çanë kufijtë dhe fundi i Adriatikut u mbush me trupat e bashkëkombasve tanë që iknin nga Shqipëria.
Ishte i sigurt kur ngriheshin barrikada për të hyrë në qytete. Kur vriteshin deputetë. Kur çdo verë lahej ndonjë hesap me plumba. Kur Kosova u pushtua. Kur ekonominë e shkatërronim me dorën tonë. Kur bizneset mbylleshin me urdhër, e privatësia dilte në mejhane, në WhatsApp, në Excel e në televizor.
Kombi ishte super i sigurtë kur shpërtheu Gërdeci.
Asgjë nga këto nuk e tronditi sigurinë kombëtare.
Po ja ku erdhi katastrofa.
Mesazhet e shpirtit të Gysit.
Këtu shteti u kujtua se ka radarë. Madje radarë shumë të ndjeshëm. Kapin puls, emoji, zemra, mall, nostalgji… gjithçka. Për çudi, po këta radarë kanë vite që nuk kapin drogë, korrupsion, rrjedhje informacioni, krim të organizuar apo miliona që avullojnë.
Janë radarë selektivë. Punojnë vetëm në frekuencën e Gysit.
Prandaj urgjent duhet të mblidhet Këshilli i Sigurisë. Të analizojë kërcënimin strategjik që paraqesin allatet e Gysit. Të caktojë nivelin e alarmit sipas lartësisë së tyre nga toka. Sepse ky është standardi i ri i sigurisë kombëtare, dmth jo sa i mbrojtur është shteti, por sa poshtë varen goglat.
Kur vjen puna te to (goglat
pra), siguria fik radarët për gjithçka tjetër dhe ndez sirenat.
Rroftë kombi që ka mbijetuar luftëra, rebelime, varfëri, emigrim, korrupsion e tragjedi, por që sot dridhet nga një SMS.
A të rrufsha pallën e sigurisë, o komb!