22-vjeçari mbush pyllin e Skraparit me kanabis, policia i gjen edhe ar'më

Një operacion i koordinuar i Policisë së Skraparit ka goditur një rast të kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e fshatit Dobrenjë, duke çuar në pranga një 22-vjeçar dhe në shpalljen në kërkim të bashkëpunëtorit të tij.
Aksioni i koduar "Dobrenjë", i cili erdhi pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive, mundësoi asgjësimin e 31 bimëve kanabis sativa dhe sekuestrimin e një arme zjarri kallashnikov, të cilën autori i dytë e hodhi gjatë tentativës për t'iu shmangur uniformave të blues.
Njoftimi:
Skrapar/Finalizohet operacioni anticannabis, i koduar “Dobrenjë”.
Kishte kultivuar në pyll, dhjetëra bimë narkotike, kapet në flagrancë në vendngjarje, 22-vjeçari.
Punohet intensivisht për kapjen e bashkëpunëtorit të tij, i cili ruante bimët, i armatosur.
Sapo konstatoi shërbimet, ai hodhi armën e zjarrit (kallashnikov) dhe u largua në zonën e pyllëzuar.
Asgjësohen bimët narkotike dhe sekuestrohet arma e zjarrit.
Si rezultat i një hetimi njëmujor, me metoda proaktive, kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në koordinim me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin e përfshirjes së 2 shtetasve në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, u finalizua operacioni i koduar “Dobrenjë”.
Në kuadër të operacionit, është ndërhyrë në sipërfaqen pyjore të fshatit Dobrenjë, Skrapar, ku dyshohej se 2 shtetasit kishin kultivuar bimë narkotike.
Nga kontrolli në këtë territor janë gjetur të kultivuara 31 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, dhe në afërsi të tyre është kapur shtetasi T. H., 22 vjeç, banues në fshatin Rromas, i cili është arrestuar në flagrancë.
Në vijim të veprimeve procedurale është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i shtetasit T. H., shtetasi Q. M., 22 vjeç, banues në fshatin Dobrenjë. Ky shtetas sapo ka konstatuar praninë e shërbimeve, ka hedhur në tokë, 1 armë zjarri (kallashnikov) dhe është larguar me vrap, në zonën e pyllëzuar. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


