Armët nga Bosnja dhe lidhjet e rrjeteve kriminale në Suedi me Iranin: Çfarë zbulon hetimi?
Armët e kontrabanduara nga Bosnje e Hercegovina, që dyshohet se kanë përfunduar në duart e rrjeteve kriminale në Bashkimin Evropian, janë në qendër të një hetimi të gjerë, gjurmët e të cilit kanë çuar në një zyrë të vogël policore pranë Sarajevës. Sipas autoriteteve perëndimore, disa prej këtyre rrjeteve janë përdorur për operacione në shërbim të Iranit.
Sipas informacioneve jozyrtare, armët dërgoheshin drejt Foxtrot-it, rrjet kriminal në Suedi i udhëhequr nga Rawa Majid, i cili lidhet edhe me operacionet e Teheranit në Evropë.
Agjencia Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje e Bosnje e Hercegovinës (SIPA), me mbështetjen e Europolit, zhvilloi më 23 shtator kontrolle në disa lokacione në vend, me urdhër të Prokurorisë dhe Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës.
Gjatë kontrolleve, tha SIPA më 24 shtator, u gjetën dhe u sekuestruan nëntë pushkë gjuetie, pesë pistoleta, rreth 190 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe një sasi e madhe dokumentacioni që lidhet me lëshimin e lejeve për blerjen, mbajtjen dhe bartjen e armëve.
“Po ashtu, u sekuestruan dokumente që lidhen me blerjen dhe shitjen e armëve nga persona juridikë, si dhe blloqe shënimesh, shënime dhe agjenda”, u tha në njoftim.
SIPA tha se ekzistojnë dyshime se një pjesë e dokumentacionit të sekuestruar është falsifikuar dhe është përdorur si i tillë në procedurat për lëshimin e lejeve për blerjen, mbajtjen dhe posedimin e armëve.
Gjatë këtij aksioni u ndalua një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Sarajevës, përkatësisht i Drejtorisë së Policisë në Ilijash. Në rrethana ende të pasqaruara, ai arriti të merrte një pistoletë brenda ambienteve të policisë dhe qëlloi veten.
Në atë kohë, ai ishte nën mbikëqyrjen e pjesëtarëve të SIPA-s, e cila deri tani nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për incidentin.
Ky zyrtar, i cili ishte përgjegjës për lëshimin e lejeve për armë, vdiq në spital një ditë më vonë nga plagët e marra.
Ai dyshohet se kishte keqpërdorur lejet për armë të lëshuara për banorë të Ilijashit dhe zonës përreth. Dyshohet se, duke i përdorur këto leje, kishte blerë pistoleta nga të paktën dy kompani në Bratunac dhe Doboj dhe më pas, në mënyra ende të panjohura, i kishte futur ato në tregun ilegal.
Informacionet jozyrtare të Radios Evropa e Lirë (REL), të cilat deri tani nuk janë konfirmuar nga autoritetet e përfshira në hetim, tregojnë se gjatë viteve 2024 dhe 2025 ishin blerë disa dhjetëra armë.
Sipas informacioneve të REL-it, njëri prej kanaleve të kontrabandës çonte te grupi i udhëhequr nga Dino Muzaferoviq, me origjinë nga Bosnje e Hercegovina, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Slloveni.
Sipas të dhënave të Europolit dhe hetuesve sllovenë, emri i Muzaferoviqit është përmendur prej vitesh në hetime ndërkombëtare për trafikimin e drogës dhe armëve, si dhe për veprimtarinë e rrjeteve kriminale nga Ballkani në BE.
Në një operacion të mëparshëm ndërkombëtar kundër rrjetit të tij, të mbështetur nga Europoli në shkurt të vitit 2025, hetues nga Bosnje e Hercegovina, Sllovenia dhe Suedia hetuan trafikimin e drogës, armëve dhe eksplozivëve, si dhe furnizimin e rrjeteve kriminale në BE.
“Dhelpra kurde”
Gjurmët e këtyre rrjeteve kriminale çojnë te Foxtrot-i, siç i kanë konfirmuar REL-it burime të afërta me hetimin. Autoritetet e lidhin këtë rrjet me Rawa Majidin, të njohur me nofkën “Dhelpra kurde”.
Vitet e fundit, Foxtrot-i ka qenë në qendër të një sërë hetimesh suedeze dhe ndërkombëtare për krimin e organizuar.
Majid njihet në Suedi si një nga figurat kryesore të krimit të organizuar, por veprimtaria e rrjetit të tij ka marrë edhe përmasa më të gjera të sigurisë.
Autoritetet amerikane dhe britanike kanë sanksionuar Foxtrot-in dhe udhëheqësin e tij, duke thënë se rrjeti kriminal është përdorur edhe për operacione në interes të Iranit.
Departamenti amerikan i Thesarit tha në mars të vitit 2025 se Foxtrot-i kishte organizuar sulmin ndaj Ambasadës së Izraelit në Stokholm në janar të vitit 2024, “në emër të Qeverisë së Iranit”. Sipas të njëjtit dokument, Rawa Majid bashkëpunonte me Ministrinë e Inteligjencës së Iranit (MOIS).
Deri tani, nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse armët që janë objekt i hetimit në Sarajevë janë përdorur në operacionet e Foxtrotit të lidhura me Iranin.
Megjithatë, sipas burimeve të njohura me hetimin, në të paktën pesë incidente të armatosura të këtij grupi janë përdorur armë të siguruara ilegalisht nga Bosnje e Hercegovina.
Në janar të vitit 2025, gazeta suedeze Svenska Dagbladet, duke cituar burime policore, raportoi se një nga përparësitë e Majidit ishte pikërisht rrjeti i kontakteve për kontrabandimin e armëve nga Bosnje e Hercegovina drejt Suedisë.
Si funksionon rrjeti Foxtrot?
Foxtrot-i u zhvillua si një rrjet kriminal, veprimtaritë kryesore të të cilit ishin trafikimi i drogës dhe armëve, si dhe porositja e sulmeve të dhunshme.
Departamenti amerikan i Thesarit e përshkruan atë si një organizatë kriminale ndërkombëtare, me bazë kryesisht në Suedi, të përfshirë në trafikimin e drogës dhe armëve, të shtëna me armë, vrasje me porosi dhe forma të tjera të dhunës. Autoritetet amerikane thonë se rrjeti ka përdorur edhe të mitur për kryerjen e sulmeve.
Sipas transmetuesit publik suedez SVT, Rawa Majid ka lindur në Iran, në një familje kurde me origjinë nga Iraku. Ai u rrit në qytetin suedez të Upsalës, ku më vonë ngriti rrjetin kriminal Foxtrot.
Pasi në Suedi nisën disa procedura ndaj tij dhe u lëshua një fletarrestim ndërkombëtar, ai u zhvendos në Turqi. Suedia nuk arriti të siguronte ekstradimin e tij, pasi ai kishte shtetësi turke.
Në shtator të vitit 2023, Majid u largua nga Turqia drejt Iranit, pasi autoritetet turke nisën procedurat për t’ia hequr pasaportën.
Sipas pretendimeve të shërbimit izraelit të inteligjencës, Mossad, të raportuara nga SVT-ja, në Iran ai u përball me zgjedhjen mes burgut dhe bashkëpunimit me autoritetet iraniane.
Majid e drejtonte rrjetin edhe nga larg. Televizioni suedez përshkruan se si, për vite me radhë, ai udhëhiqte njerëzit e tij në distancë, ndërsa aktivitetet kriminale dhe përplasjet mes grupeve krijuan një rrjet të gjerë personash që, sipas nevojës, kryenin detyra edhe për grupe të tjera kriminale.
Rasti i studiuesit Arvin Khoshnood
Mënyrën se si funksionon ky sistem e ilustron rasti i Arvin Khoshnoodit, studiues suedez dhe kritik i regjimit iranian, i cili në shtator të vitit 2025 ishte objektiv i një tentative për vrasje, pas së cilës qëndronte një tjetër grup kriminal nga Suedia.
Prej një viti, Khoshnood, iranian që jeton në Suedi, qëndron me familjen në një banesë të sigurt.
Ai i tha REL-it se një burrë kishte shkuar te shtëpia e tij, por nuk kishte arritur të hynte brenda. Disa javë më vonë, policia e arrestoi të njëjtin person në një qytet tjetër, pasi kishte qëlluar një person me armë zjarri.
“Kur e arrestuan, në telefonin e tij gjetën informacione për mua: fotografinë time, emrin, adresën, të dhëna për makinën tonë e të tjera. Gjetën edhe shumë mesazhe, falë të cilave arritën të arrestonin edhe pesë persona”.
Sipas Khoshnoodit, secili prej tyre kishte një detyrë të caktuar.
“Të gjashtë kishin role të ndryshme. Ishin në kontakt përmes Signalit me dikë që prezantohej si Tartarus. Ai u kishte thënë se duhej të më vrisnin dhe se për këtë do të merrnin 300.000 korona [rreth 30.000 euro]”.
Një vajzë kishte një thikë, e cila më vonë i ishte dorëzuar një anëtari tjetër të grupit. Sipas mesazheve, personi që kishte shkuar te shtëpia e Khoshnoodit duhej ta kryente sulmin me thikë dhe sa më në heshtje.
Të gjashtë personat u dënuan më vonë, katër prej tyre për përgatitjen e vrasjes. Të gjithë ishin të mitur në kohën e ngjarjes.
Sipas informacioneve të publikuara nga SVT-ja, policia suedeze më vonë e lidhi identitetin e Tartarusi me Dante Peykarin, i cili, sipas këtyre informacioneve, ndodhet në Iran.
Khoshnood thotë se Peykar kishte qenë pjesë e qarqeve kriminale në Suedi dhe se, pas largimit për në Iran, besohet të ketë nisur të punojë për regjimin iranian. Edhe SVT-ja e ka lidhur atë me operacionet iraniane në Suedi.
Khoshnood, megjithatë, thekson për REL-in se vrasjen e tij nuk e kishte porositur Foxtrot-i.
Gjatë gjykimit u vërtetua se i njëjti person që kishte shkuar te shtëpia e tij kishte qëlluar edhe një burrë në qytetin suedez të Uddevallës. Atë sulm e kishte porositur Foxtroti.
“Në rastin tim, këta njerëz punonin për Dante Peykarin, por paralelisht punonin edhe për Foxtrot-in. Kishin edhe disa probleme private, për shkak të të cilave po përpiqeshin të vrisnin dikë. Pra, ishin njerëz që punonin për organizata dhe rrjete të ndryshme kriminale dhe zbatonin urdhra kundrejt pagesës”.
Nga porositë kriminale te dhuna politike
Shërbimi suedez i Sigurisë, Sapo, konfirmoi publikisht qysh në vitin 2024 se Irani përdor rrjete kriminale suedeze për të kryer akte dhune në Suedi dhe në shtete të tjera.
Në atë kohë, Sapo nuk përmendi rrjete konkrete kriminale, por konfirmoi lidhjet mes aktiviteteve iraniane dhe qarqeve kriminale suedeze.
Në një hulumtim të publikuar në qershor të vitit 2025, SVT-ja raportoi se Foxtrot-i ishte lidhur me shtatë sulme ndaj objektivave izraelite. Burime nga vetë qarqet kriminale flisnin për presione të Iranit ndaj kriminelëve për të kryer sulme.
Sipas këtyre burimeve, pasi shkoi në Iran, Majid merrte kërkesa nga regjimi iranian dhe ua përcillte njerëzve brenda rrjetit të tij, të cilët më pas kërkonin persona për t’i kryer sulmet.
Departamenti amerikan i Thesarit e përshkruan këtë si një mënyrë përmes së cilës Irani përdor organizata kriminale ndërkombëtare si ndërmjetëse, duke ruajtur mundësinë për të mohuar përfshirjen e drejtpërdrejtë.
Të miturit si autorë sulmesh dhe rasti në Holandë
Në rastin e Khoshnoodit, sipas rrëfimit të tij, personat që duhej ta kryenin sulmin ishin të mitur. Njëri prej tyre ishte 16 vjeç kur shkoi te shtëpia e tij.
Edhe në raportimet më të fundit, SVT-ja ka thënë se në operacionet e lidhura me Foxtrot-in përdoren persona në moshë shumë të re, ndërsa porosia për një sulm mund të kalojë nëpër disa nivele të rrjetit kriminal.
Kjo krijon një sistem në të cilin personi që e kryen sulmin shpesh nuk e di se kush është porositësi përfundimtar dhe, ndonjëherë, as motivin e vërtetë.
Një rast i ndodhur në mars të vitit 2026 në qytetin holandez të Schoonhovenit tregon se kjo mënyrë veprimi nuk kufizohet vetëm në Suedi.
Atje u plagos rëndë një burrë 36-vjeçar me origjinë iraniane, punonjës i policisë holandeze dhe kritik i regjimit iranian. Për këtë arsye, fillimisht u shqyrtua edhe mundësia që sulmi të kishte prapavijë politike.
I dyshuari Hasan B., i cili u arrestua në Gjermani dhe më pas u ekstradua në Holandë, pranoi se kishte qëlluar.
Megjithatë, sipas informacioneve që Prokuroria holandeze i dha REL-it, ai deklaroi se ishte rekrutuar për sulmin dhe se nuk e dinte se kush ishte objektivi apo pse duhej sulmuar.
Hetimi përfshin edhe një ndërmjetës, i cili dyshohet se lidhte porositësin me autorin e sulmit. Prokuroria holandeze i tha REL-it se motivi ende nuk është përcaktuar./REL
Ambasada amerikane: Mezi presim të punojmë me Qeverinë dhe Kuvendin e ri të Kosovës
Trajneri i Irlandës “dorëzohet” pas humbjes ndaj Kosovës: Fitore e merituar
Deputeti i PDK-së bën thirrje: Të lëmë zgjedhjet dhe të fokusohemi te Haga
- 11:53 Ambasada amerikane: Mezi presim të punojmë me Qeverinë dhe Kuvendin e ri të Kosovës
- 11:22 Trajneri i Irlandës “dorëzohet” pas humbjes ndaj Kosovës: Fitore e merituar
- 11:15 Finlanda dhe Suedia ngrenë avionë luftarakë për të kapur avionë rusë
- 11:12 SHBA dhe Ekuadori operacion të përbashkët, godasin grupin e një karteli droge meksikan
- 11:07 Deputetja Luarasi: Reagimi i ish-drejtueses së SHISH ndaj gazetares është i papranueshëm
- 11:02 Lirohet nga burgu ish-drejtoresha e Postës Durrës, gjykata e lë në “arrest shtëpie”