Ish zëvëndëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ka shpenzuar qindra mijëra euro në kazinotë e Evropës, para me burim korrupsionin dhe të padeklaruara në ILDKPKI, është përfshirë në një aferë korruptive edhe me biznesmenin Gazim Bregu, duke përdorur pushtetin për t’u pasuruar dhe devijuar fondet publike në xhepat e klientëve.
Afera korruptive është konstatuar nga SPAK, por megjithatë ende nuk është zbatuar legjislacioni penal ndaj Gazim Bregut, i cili ka përfituar 20 milionë euro nga fondet e rindërtimit, me ndërhyrjen e Arben Ahmetajt, pasi Bregu po i ndërtonte Ahmetajt vilën e famshme në Hamallaj, sekustruar nga SPAK.
Më konkretisht, Gazim Bregu është themelues dhe pronar i kompanisë së ndërtimit Egeu Stone shpk. Përmes kompanisë Egeu Stone, Bregu ka ndërtuar vilën e Arben Ahmetajt, me numër B22, në Valamar, Hamallaj, vilë të cilën sipas SPAK Ahmetaj e ka kamufluar në emrin e Klodian Zotos, më pas të Geri Kukes dhe në fund në emrin e Erjola Hoxhës, bashkëjetueses së tij.
Biznesmeni Bregu është kontraktuar për të kryer punime shtesë dhe rikostruktuar vilën në fund të vitit 2020, por punimet kanë nisur në mars të vitit 2021. Bregu është kontraktuar nga bashkëjetuesja e Tigrit, Erjola Hoxha dhe motra e tij Brunilda Mene, gjithnjë nën kujdesin e Ahmetajt. Fillimisht Gazim Bregu ka gënjyer në SPAK, por kur është pyetur sërish ka ndryshuar thëniet, duke pranuar se ishte kontraktuar për rikonstruksionin e vilës së Ahmetajt.
Ndërkaq, në një kohë kur po ndërhynte në vilën e Ahmetajt, Gazim Bregu ka nisur të marrë fonde nga programi i rindërtimit. Gjatë kësaj kohe Arben Ahmetaj ishte ministër i Rindërtimit. Gazim Bregu ka marrë rreth 20 milionë euro tendera nga rindërtimi. Edhe pse tenderat janë dhënë nga bashkitë, Ahmetaj diktonte kryesisht fituesit e tyre si ministër i Rindërtimit, i caktuar nga Edi Rama.
Në dosjen e SPAK thuhet se suksesi i Gazim Bregut në tenderat e rindërtimit ka ardhur për shkak të lidhjes me Arben Ahmetajn.
Afera 23 milionë eruo me Albtelekom
Është e njohur tashmë historia e korrupsionit të Ahmetajt me Albtelekom, ku vodhi 23 milionë euro. Kjo aferë është mbyllur në vitin 2016 me një tjetër aferë flagrante, e cila nuk është hetuar nga SPAK-u.
Në vitin 2016, Albtelekomi i blerë nga turqit befas u tërhoq nga procesi gjyqësor, ku i kërkonte kompanisë Hermes të Ahmetajt 23 milionë euro, që i kishte vjedhur në vitin 2002 me impulset telefonike. Kur Albtelekom u tërhoq, Ahmetaj ishte ministër i Financave. Ministria e Financave ka rreth 14 % të aksioneve te Albtelekom.
Pra, Ahmetaj në krye të ministrisë që kishte aksione te Albtelekom, tërhiqet nga gjyqi për interesa të kompanisë së tij private, kaluar në emrin e një oligakeje. Jo vetëm kaq. Por, Ahmetaj kishte edhe bashkëjetuesen, Erjola Hoxha, drejtoreshë kyçe tek Albtelekom. Është pikërisht bashkëjetuesja, në emrin e të cilës Ahmetaj fshehu vilën që i dha Klodian Zoto me vlerë 1 milionë në Hamallaj.