Deputetja e PS, Iris Luarasi ka reaguar për rastin e djeshëm të shantazhit të ish-shefes së SHISH, Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lala pasi kjo e fundit e pyeti për Ergys Agasin.
Luarasi shkruan se pyetja e bërë nga Lala kishte interes publik dhe se në vend që të merrte përgjigjie, mori insinuate që i dëmtojnë reputacionin dhe sigurinë personale. Në këtë kuadër, Luarasi kërkoi që SPAK të trajtojë me përparësi kallëzimin e Lalës ndaj Vlora Hysenit.
“Deklarata e ish-drejtueses së SHISH-it ndaj Klodiana Lala në hyrje të GjKKO-së është e papranueshme. Një gazetare po bënte një pyetje me interes publik. Në vend të përgjigjes mori insinuata që dëmtojnë reputacionin, integritetin profesional dhe sigurinë e saj personale.
Si zëvendëskryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, i bëj thirrje SPAK-ut që ta trajtojë me seriozitet dhe me përparësi kallëzimin e gazetares. I bëj thirrje gjithashtu institucioneve përgjegjëse që të garantojnë mbrojtjen e saj.
Pyetjet e gazetarëve duhet të marrin përgjigje, jo kërcënime. Mbrojtja e gazetarëve është detyrim i shtetit dhe kusht për demokracinë. Gazetarët që bëjnë pyetje nuk janë armiq”- shkruan deputetja. Versus.al

