Papa Leone XIV mbërrin në Francë, pritet nga Macron dhe bashkëshortja e tij në Pallatin Élysée Një jackpot prej 223.2 milionë eurosh është kthyer në një betejë ligjore mes një burri nga Lecco dhe ish-bashkëshortes së tij, e cila jeton në Frosinone.
Burri fitoi shumën rekord në SuperEnalotto pasi luajti një kupon me vlerë vetëm 5 euro. Por gëzimi i tij zgjati pak, pasi lajmi për fitimin u përhap te miqtë dhe më pas mbërriti edhe te gruaja.
48-vjeçarja ka vendosur të kërkojë 80 milionë euro, duke argumentuar se martesa e tyre nuk ishte përfunduar ligjërisht. Sipas avokatëve të saj, çifti ishte martuar më 25 prill 2023, në regjimin e bashkësisë ligjore të pasurisë.
Edhe pse burri jeton dhe punon në Lecco, ndërsa gruaja është kthyer te prindërit në Frosinone, ata nuk e kishin përfunduar zyrtarisht procedurën e ndarjes.
“Edhe gjysma është e imja”, ka thënë 48-vjeçarja.
Avokatët e gruas i kanë dërguar fituesit një paralajmërim zyrtar, duke kërkuar që të marrë parasysh të drejtat e saj mbi fitimin. Ajo kërkon ose një pagesë mujore prej 8 mijë eurosh, ose një shumë të vetme prej 80 milionë eurosh.
Avokatët argumentojnë se kërkesa është më e ulët se gjysma e shumës që do të mbetet pas taksave dhe shpenzimeve, shkruan “Corriere Della Sera”.
Në qendër të konfliktit është pikërisht statusi ligjor i çiftit në momentin kur u fituan milionat. Sipas avokatëve të gruas, jurisprudenca italiane parashikon që fitimet nga lotaritë dhe lojërat kombëtare mund të përfshihen në bashkësinë ligjore të pasurisë së bashkëshortëve, edhe kur kuponi është blerë me paratë e vetëm njërit prej tyre.
Ata i referohen edhe praktikës së Gjykatës së Kasacionit italian dhe argumentojnë se ndarja vetëm faktike nuk ka të njëjtin efekt juridik me përfundimin e procedurës ligjore të ndarjes.
Fituesi ka pasur 10 ditë për t’iu përgjigjur kërkesës ligjore, por deri tani nuk ka dhënë një përgjigje, sipas avokatëve të 48-vjeçares.
Ndërkohë, 223.2 milionë eurot ende nuk janë tërhequr. Fituesi ka një afat prej 180 ditësh për të kërkuar shumën, sipas procedurave përkatëse.
Fitimi rekord u regjistrua më 11 shtator, kur kombinimi 8-13-16-52-64-70 solli jackpot-in prej 223.2 milionë eurosh. Kuponi ishte luajtur në një pikë shitjeje në Oggiono, në provincën e Leccos.
Një tjetër rast përfundoi në gjykatë
Kjo nuk është hera e parë që një fitore e madhe në lotari shkakton konflikt mes ish-bashkëshortëve.
Në vitin 2019, një shofer kamioni në Lodi fitoi rreth 220 milionë euro me një kupon prej vetëm 2 eurosh. Ai ndryshoi jetën pas fitores, duke blerë shtëpi dhe makinë të re.
Më vonë u martua sërish, por vdiq në vitin 2025 duke ia lënë pasurinë partneres së re. Pas vdekjes së tij, ish-bashkëshortja u shfaq me një kërkesë për 5 mijë euro në muaj si pagesë mirëmbajtjeje.
Në rastin e tanishëm, fati i 223 milionë eurove do të përcaktohet tashmë jo vetëm nga numrat e lotarisë, por edhe nga gjykata.
Top Channel