Vuçiç akuzon Rashiç se me mbështetjen për Listën Studentore “po zbaton urdhrat” e Kurtit

25 Shtator 2026 | 12:29

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka akuzuar politikanin nga Kosova, Nenad Rashiç, se, siç u shpreh ai, “verbërisht po zbaton urdhrat e [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit”.

Këtë deklaratë Vuçiç e bëri gjatë përgjigjet në pyetjet e gazetarëve në Nju Jork, ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ajo pason deklaratën e Rashiçit, udhëheqësit të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë në Kosovë dhe ministër në Qeverinë e Kurtit, për Radion Evropa e Lirë kur tha se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, më 25 tetor, do ta mbështesë Listën Studentore.

“Ai [Nenad Rashiç] nuk bën asgjë tjetër në jetë përveçse i zbaton verbërisht urdhrat e Albin Kurtit. I mbështeti bllokuesit, i uroj gjithë të mirat me mbështetjen e Albin Kurtit dhe [kryeministrit të Kroacisë] Andrej Pllenkoviçit. Uroj sukses të madh për të gjithë në zgjedhje”, tha Vuçiç.

Rashiç e argumentoi mbështetjen e tij për Listën Studentore me faktin se mbështetja do të nënkuptojë edhe organizimin e një udhëtimi të mundshëm kolektiv për të votuar në ndonjë prej qyteteve kufitare në Serbi, duke pasur parasysh se autoritetet e Kosovës vitet e fundit nuk lejojnë organizimin e zgjedhjeve serbe, në komunat në Kosovë, të banuara me shumicë serbe.

Ai përsëriti se mbështetja e tij për Listën Studentore është e pakushtëzuar dhe se ai, bashkëpartiakët e tij dhe përkrahësit, janë angazhuar kundër “mungesës së kulturës, arrogancës dhe korrupsionit në Serbi”.

Nga ana tjetër, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetur listën “Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar”, në reagimin e saj vlerësoi se mbështetja e Rashiçit për Listën Studentore është në fakt mbështetje e Kurtit, pa paraqitur asnjë dëshmi për këtë.

Nga kjo parti po ashtu e akuzuan Rashiçin se nuk i është kundërvënë vendimeve të Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tyre, janë të dëmshme për komunitetin serb. Ndër to përmendën edhe themelimin e Muzeut të Gjenocidit.

Kur ky vendim u miratua në fund të vitit 2024, Rashiç kishte abstenuar, ndërsa më pas nga Ministria e tij për Komunitete dhe Kthim ishte bërë e ditur se nuk do ta mbështeste asnjë vendim që “cenon interesat e popullit serb ose vë në pikëpyetje të vërtetën historike”.

Themelimi i Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri është një nismë e Qeverisë së Kosovës për dokumentimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë.

Ndërkohë, për këtë çështje është deklaruar edhe Petar Petkoviç, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili vlerësoi se Kurti është përfshirë në fushatën e Listës Studentore dhe se e mbështet atë financiarisht, megjithëse nuk paraqiti dëshmi për këto pretendime. Petkoviqç nuk tregoi në postimin e tij as se mbi çfarë bazash i kishte këto informacione.

Në postimin e tij në platformën X, Petkoviçi gjithashtu renditi një varg vendimesh të autoriteteve të Kosovës, për të cilat, sipas tij, është përgjegjës edhe Nenad Rashiçi. Ndër to ai veçoi heqjen nga përdorimi të dinarit serb, rrënimin e shtëpive pushuese në Ujman, mbylljen e institucioneve serbe dhe të tjera.

Nenad Rashiç, ministër për Kthim dhe Komunitete, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës janë të vetmet që i kanë mbetur komunitetit serb dhe se ata duhet të bëhen “një faktori brenda tyre”, duke shtuar se duhet të marrin vetë vendime, në vend që ato t’u imponohen.

Ai ka thënë po ashtu se serbët nga Kosova e dinë mirë se çfarë shkruan në Kushtetutën e Serbisë, por edhe në Kushtetutën e Kosovës, dhe se askush nga Beogradi nuk mund ta dijë më mirë se cila është realiteti në terren.

Beogradi zyrtar edhe kësaj herë i ka kërkuar Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të ndihmojë në organizimin e zgjedhjeve dhe mbledhjen e fletëvotimeve, por nga ky mision në Kosovë i thanë Radios Evropa e Lirë se për këtë nevojitet pëlqimi nga institucionet e Kosovës.

Nga Qeveria e Kosovës ende nuk janë deklaruar lidhur me këtë çështje.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deputeti i PDK-së bën thirrje: Të lëmë zgjedhjet dhe të fokusohemi te Haga

I ftuar në “Now” me Esmeralda Mulajn, deputeti i PDK-së, Artan Behrami, bëri thirrje që fokusi kryesor i politikës në Kosovë të rikthehet te çështja...
10:47 | 25/09/2026

Mali i Zi vendos viza për shtetasit nga Rusia, Bjellorusia dhe Turqia

Qeveria e Malit të Zi miratoi Informacionin për nevojën e anulimit të marrëveshjeve me të cilat rregullohet regjimi pa viza me Federatën Ruse, Bjellorusinë dhe...
10:42 | 25/09/2026

Sulmi në Banjskë, provokojnë serbët; nderojnë agresorët gjatë ndeshjes

Klubi serb i futbollit Crvena Zvezda ka publikuar një mesazh me tone nacionaliste në ditën e trevjetorit të sulmit të armatosur në Banjskë, ku më...
09:48 | 25/09/2026