Teksa shihje seancën e djeshme plenare, ishte e vështirë të përcaktoje nëse ajo që e bënte më depresive ishin akuzat e shkëmbyera, apo lehtësia e papërballueshme me të cilën një pjesë e deputetëve zgjodhën t’i injoronin ato. Edhe pse nga ajo sallë jemi mësuar tashmë të mos presim ndonjë gjë brilante veç spektakleve të herë pas hershme, ishte megjithatë e trishtë të shihje se si mes debatit në lidhje me ish kreun e SHISH, një pjesë e mirë e përfaqësuesve tanë në parlament kishin kohën dhe qetësinë mendore të bënin scroll nëpër rrjete sociale dhe të blinin online, se tek e fundit stinët po ndërrohen dhe duhet përditësuar garderoba. Me sa duket, çështja në diskutim ishte mjaftueshëm serioze për t'i bërtitur njëri tjetrit nga foltorja, por jo aq sa duhet për t’i kushtuar vëmendje.
Akuzat ndaj ish kreut të SHISH Vlora Hyseni, përfshijnë dhënien e informacioneve sensitive tek një person në kërkim, me gjasë për ta ndihmuar t’i shpëtojë arrestit. Ndonëse mbeten për t’u provuar në gjykatë, sërish edhe në këtë fazë, pritet që parlamenti të tregojë njëfarë interesi të paktën në lidhje me mënyrën si është mbikëqyrur institucioni i drejtuar deri pak më herët nga Znj. Hyseni dhe çfarë masash ekzistonin për të shmangur ngjarje të tilla.
Por, siç u pa, përgjigjia e mazhorancës ishte gati dhe mjaftonte të zgjaste dorën në të shkuarën e opozitës zyrtare. Përballë pyetjeve dhe dilemave që qytetarët kanë në lidhje me atë çfarë ka ndodhur, mazhoranca e gjeti komfortin tek diskutimi i atyre që kundërshtarët e saj kanë bërë kur kanë qenë në pushtet, duke pranuar disi heshturazi (pavarësisht toneve të larta, e gjitha mbetet heshtje), se sa të panevojshme e ndien që të japë shpjegime, gjë që pala përballë ja bën edhe më të lehtë. Opozita nga ana tjetër shfaqi një qëndrim edhe më pak të dobishëm për publikun. Edhe pse kishte në duar një skandal mjaftueshëm serioz për të kërkuar llogari në mënyrë precise, zgjodhi t’i shpenzonte energjitë e saj në një mënyrë të njohur tashmë për të gjithë, duke u përqëndruar tek një shqetësim performativ dhe etiketime të vjetëruara, që shumicës së njerëzve nga një vesh ju hyjnë e nga tjetri ju dalin, sepse në vetvete nuk thonë asgjë. Nëse çdo ngjarje s’është veçse provë e akuzave të vjetra që shkëmbehen prej më shumë se tridhjetë vjetësh, atëherë nuk ka përse të përcaktohet se si mund të ketë ndodhur ky dështim konkret.
Kush ishte përgjegjës për të mbikëqyrur kreun e SHISH? Çfarë kontrollesh ekzistonin në lidhje me informacionet që i lejohet t’i ndajë dhe atyre që mbeten sekret? A ka patur më parë shqetësim në lidhje me kontaktet e saj dhe nëse po, atëherë kush mund t’i binte ziles së alarmit dhe në ç’zyrë? Janë të gjitha pyetje të zakonshme, por përgjigjet e të cilave mund të identifikojnë dështime përtej personit tanimë nën hetim.
Por marrëdhënia intime e raportuar duket se garanton një temë diskutimi shumë më të lehtë për të gjithë, duke e shndërruar një thyerje të mundshme të sigurisë së shtetit, në një debat për sjelljet private të drejtueses së institucionit në fjalë. Duke u përqëndruar te kjo anë, do të ketë mjaftueshëm gjëra për të insinuuar dhe plot hollësi që disave iu ngrenë humorin dhe të tjerëve iu ulin radarin, duke rrezikuar që jetës personale të Znj. Hyseni t’i bëhet hetimi që do duhej t’i bëhej institucionit të drejtuar prej saj.
Po pavarësisht gjithë këtyre, ajo që të ngelet në mendje është imazhi i deputetëve krejt shpërfillës gjatë seancës plenare të së enjtes. Ankesat se është shkelur kodi i sjelljes së parlamentit nuk është se thonë shumë, pasi në atë sallë kemi parë sjellje nga më banalet, tek ato më të rrezikshmet për sigurinë fizike të vetë deputetëve, por edhe punonjësve të adminsitratës. Ajo që flet më shumë është mërzia e tyre e dukshme gjatë seancës sepse ishte pamja e njerëzve që e kanë të qartë se pozicioni i tyre nuk varet nga fakti nëse dëgjonin ose jo atë që thuhej. Opozita mund të përfundonte akuzat e përhershme, mazhoranca do të prodhonte votat e nevojshme për atë seancë dhe askujt nuk do t’i duhej të dinte diçka më shumë nga sa dinin në nisje të saj.
Vendi pati për disa orë arsye të shqetësohej nëse sekretet e tij ishin të sigurta, por në Kuvend shumëkush dukej i qetë se të paktën karrigen e kishte të sigurt.
......bojaxhiu duhet te merrte masa qe SHISH te paisej me "terapiste seksi" , te cilet do te ndihmonin Vloren qe te perballonte frustrimin seksual dhe te mos nxirrte sekretet e shtetit per 5 minuta clirim hormonal.....ne fund te fundit , qeveria mund ti kishte siguruar Vlores nje ...."vibrator"...dhe keshtu "radari i Gysit" nuk kishte pse te fikej.......sepse "ia fikte" vibratori llambat "Vlores se perveluar"....!!!!
Edi Rama dhe Sali Berisha, janë kancer për Shqiprinë.... Prandaj e kanë mbushur palamentin dhe të gjitha instutusjonet e " shteti" nës mund ta qusha shtet? me kriminel, hajdut, analfabetik dhe budallen, që askush të mosë shpëtoj nga kjo llumhanjë që keta kanë ndertue.. SPAK na shpeto nga këta kriminel...