Moti ka ndryshuar ‘faqe’ këtë të premte, duke rikthyer në në vend reshjet e shiut. Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave tha në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv, se qarqet ku do të kemi më shumë reshje janë Lezha, Durrësi, Korça dhe Gjirokastra.

“Reshjet do të jenë në të gjithë territorin, gjatë pasdites do të kemi reshje mesatare në qarqet Lezhë Durrës Korçë, Gjirokastër, ndërsa do të ketë edhe shtrëngata. Në qarqet e tjera reshjet do të jenë më të dobëta. Paraditen e së shtunës do të kemi ndërprerjen e tyre duke sjellë edhe ditët me diell", tha Gjoni.

Sa i përket temperaturave Gjoni tha se, vlera maksimale nuk do të kalojë vlerën 27 gradë celcius.

“Sot kemi edhe uljen e temperaturave maksimale, që nuk do të kalojnë vlerën 27 gradë”, tha ajo.

Temperaturat minimale dhe maksimale nesër parashikohen:

Në zonat bregdetare 15/23 gradë celcius;

Në zonat e ulëta 12/25 gradë celcius;

Në zonat malore 8/16 gradë celcius.

Ndërsa edhe disa ditë nga ndajnë nga tetori, Gjoni tha se muaji nis me mot të kthjellët, por nuk do të mungojnë as reshjet.

“Java që vjen nuk kemi reshje, do të kemi mot të kthjellët. Megjithatë muaji tetor do të shënojë temperatura më të larta se pesë vjeçarët e fundit. Do të kemi reshje, por nëntori do të ketë sasinë më të madhe të reshjeve”, tha Gjoni.

Për stinën e dimrit Gjoni tha se do të përballemi me përmbytje për shkak të ndryshimeve klimatike

“Në dimër do të kemi reshjet e shiut, dëborës e ngricave. Mund të të përballemi me përmbytje për shkak të ndryshimeve klimatike. I gjithë ky fenomen nuk është vetëm tek ne, por në të gjithë botën”, tha Gjoni.