Prokuroria e Specializuar e Hagës ka kërkuar një dënim më të rëndë për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në çështjen “12”, e cila lidhet me pengimin e drejtësisë. Në parashtresën përfundimtare, ZPS ka kërkuar që periudha e kaluar prej tij në paraburgim të mos llogaritet në këtë rast.
Të lidhura
None found
Sipas argumentimit të Prokurorisë, koha e qëndrimit në paraburgim mund t’i zbritet Thaçit vetëm në çështjen “06”, ku ai është dënuar me 25 vjet heqje lirie.
ZPS i është referuar Rregullës 163(6), e cila u garanton të akuzuarve të drejtën që koha e kaluar në paraburgim para shpalljes së dënimit t’u llogaritet. Megjithatë, Prokuroria ka theksuar se Thaçi aktualisht ndodhet në paraburgim mbi bazën e dy fletarrestimeve të veçanta: që nga nëntori 2020 në Çështjen 6; 1463 dhe që nga nëntori 2024 në procedurën aktuale.
Prokuroria ka vlerësuar se situata të tilla janë hasur edhe para tribunaleve të tjera, kur një person akuzohet veçmas për pengimin e procedurave themelore që zhvillohen ndaj tij.
Duke iu referuar vendimit të Dhomës së Apelit në çështjen Bemba et al., ZPS ka argumentuar se, kur një i akuzuar qëndron në paraburgim për shkak të fletarrestimeve të lëshuara në çështje të ndryshme, kjo periudhë mund të merret parasysh vetëm një herë.
Sipas Prokurorisë, një qasje e tillë është e nevojshme për të garantuar efektin parandalues të dënimit. Në të kundërt, një i akuzuar mund të mos pengohej nga kryerja e veprimeve të tilla nëse do të dinte se koha e kaluar në paraburgim do t’i zbritej nga dënimi si në çështjen kryesore, ashtu edhe në procedurën për pengim të drejtësisë.

Për këtë arsye, ZPS ka kërkuar që çdo llogaritje e kohës së kaluar në paraburgim nga Thaçi të bëhet vetëm në kuadër të dënimit të tij në Çështjen 6, pasi gjatë gjithë këtyre procedurave ai ka qenë i ndaluar edhe për akuzat e kësaj çështjeje.
Në çështjen “12”, Prokuroria e Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin. Nëse kërkesa për të mos ia llogaritur paraburgimin pranohet dhe i shtohet dënimit prej 25 vjetësh në çështjen “06”, dënimi i përgjithshëm ndaj tij në Speciale do të arrinte në 31 vjet burgim.
Për të akuzuarit e tjerë, Prokuroria ka kërkuar nga tre vjet burgim për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, ndërsa për Hajredin Kuçin ka kërkuar nëntë muaj burgim.
