Njeriu i katërt më i pasur në botë, Mark Zuckerberg, ka zbuluar së fundmi se ora që nuk heq nga dora është e krijuar nga një shqiptar.
Gjatë një rubrike me pyetje të shpejta përpara konferencës vjetore të Meta-s, themeluesi i kompanisë zbuloi se bëhet fjalë Chronomètre Contemporain I i krijuar nga Rexhep Rexhepi.
“Oh është një krijim i Rexhepit. Është fantastik!” tha Zuckerberg.
Nuk kemi të bëjmë me një orë të zakonshme.
Modeli, me kasë prej ari me nuancë rozë 18 karatësh dhe numërues të zi me smalt i punuar me teknikën artizanale “grand feu”, që realizohet duke pjekur smaltin në temperatura shumë të larta, doli fillimisht në treg me një çmim rreth 55-60 mijë dollarë.
Sot, sipas vlerësimeve të tregut dhe ankandeve, vlera e saj ka shkuar në 1 milion dollarë.

Rritja marramendëse e çmimit lidhet me faktin se Rexhep Rexhepi është kthyer në një nga emrat më të kërkuar të orëndreqësisë së pavarur.
Punishtja e tij në Gjenevë prodhon vetëm 40 deri në 50 orë në vit, të gjitha të punuara me dorë dhe në seri shumë të kufizuara.
Historia e tij është po aq e veçantë sa edhe orët që krijon. I lindur në Kosovë, ai u zhvendos me familjen në Gjenevë në moshën 11-vjeçare. Në moshën 15 vjeçare nisi praktikën te Patek Philippe, më pas punoi në disa nga emrat më të njohur të industrisë, ndërsa në moshën 25-vjeçare themeloi markën e tij, Akrivia.

Sot krijimet e Rexhepit janë ndër më të kërkuarat nga koleksionistët. Një prej orëve të tij është shitur në ankand për 2.3 milionë dollarë, ndërsa një tjetër model Chronomètre Contemporain I u shit për 1.26 milionë dollarë, shumëfish mbi çmimin fillestar.
Megjithatë, vetë Rexhepi nuk duket i tunduar nga milionat. Në një intervistë ai ka treguar se ka refuzuar oferta prej 800 mijë dollarësh dhe madje edhe 1 milion dollarësh për modele që nuk prodhohen më, duke këmbëngulur se nuk do të rikthejë në prodhim një orë vetëm sepse dikush është gati të paguajë më shumë.

